Integrimi
Politikani që ka punën sikur emrin: Përparim Avdili
Profili i tij prej politikani serioz, i ndërtuar ndër vit, ka shtyrë redaksinë e Albinfo.ch që Përparim Avdilin ta shpallë Personalitet të Vitit 2022 në sferën e politikës
Përparim Avdili ka vjet që njihet si emër i nderuar në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ky reputacion lidhet sigurisht me sukseset që ai ka arritur në skenën politike zvicerane, konkretisht, në atë të Cyrihut.
Ai në vitin 2018 është zgjedhur në Asamblenë e Cyrihut, duke u bërë kështu asamblisti i parë me rrënjë shqiptare në qytetin më të madh të Zvicrës. Pas kësaj arritjeje, sigurisht, Përparimi (ashtu siç ka dhe emrin), nuk ka ngecur në vend. Ai, me një varg mocionesh dhe nismash që ka ndërmarrë, ka shtyrë përpara mjaft çështje me rëndësi në asamblenë ku përfaqëson FDP-në (Partinë Liberale).
Ndër mocionet dhe postulatet e tij kanë qenë edhe disa që kishin të bënin me qytetarët me prejardhje të huaj dhe, në veçanti, edhe me shqiptarët.
Zgjedhja në mandatin e dytë si asamblist i Cyrihut
Rrjedhimisht ky aktivizëm i tij gjithsesi nuk ka mbetur pa u vënë re. Kështu, ai ka arritur të sigurojë edhe mandatin e dytë në organin legjislativ të Cyrihut, madje me rezultat bindës. Avdili, në zgjedhjet e mbajtura në prill 2022 ka fituar gjithsej 2346 vota, që është numri më i madh në listën ku ai ka garuar, atë të Qarkut 9 të qytetit të Cyrihut.
Ndër çështjet që ka ngritur Përparimi në Kuvendin e Cyrihut dhe që kanë bërë më shumë bujë ka qenë postulati me të cilin ai kërkonte që Qeveria e Cyrihut të ndajë një ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Ai e ka bërë këtë nismë vetëm pak ditë pas tërmetit dhe ajo është miratuar në fillim të janarit 2020 me shumicë të madhe votash: 91 pro dhe 29 kundër. Postulati qe mbështetur nga 9 asamblistë të tjerë të FDP-së.
Siç thotë z. Avdili në një prononcim për albinfo.ch, “vetëm asamblistët e SVP-së dhe ata të GLP-së (Të Gjelbrit Liberalë) kanë votuar kundër.
Postulati parashihte një ndihmë prej 100 mijë frangash, për të cilën duhej të vendoste qeveria.
Po ashtu, mocioni i tij për t’u mundësuar të huajve të rinj natyralizimin falas në nivel komunal qe miratuar nga Parlamenti dhe ka hyrë në fuqi.
Kryetar i FDP-së, në metropolin bankar e financiar të Zvicrës
Përparim Avdili, gjatë vitit që po shkon, ndërsa rridhte mandati i dytë i tij në asamble, është zgjedhur edhe kryetar i FDP-së së Cyrihut. Kjo është po kështu një arritje e rëndësishme, kur dihet sidomos ambienti, i cili e ka zgjedhur në këtë post: dihet se Cyrihu është jo vetëm qyteti më i madh i Zvicrës, por edhe metropoli kryesor financiar – bankar i Zvicrës dhe ndër më të rëndësishmit në Evropë e botë. E aty ku janë bankat dhe financat, nuk mund të jetë larg Partia Liberale (FDP), tashmë e udhëhequr në Cyrih nga shqiptari 35-vjeçar, Përparim Avdili.
“Jam mirënjohës për besimin që kanë shprehur anëtarët tanë ndaj meje dhe tani pres me padurim të vazhdoj dhe të zgjeroj kursin e suksesshëm të FDP-së në qytetin tonë. Ajo që kërkohet është politika liberale dhe ne jemi të gatshëm të marrim edhe më shumë përgjegjësi që Cyrihu të bëhet më i jetueshëm për të gjithë njerëzit. Është një detyrë nderi të jesh në gjendje të formësosh të ardhmen e FDP-së dhe qytetit të Cyrihut në një mënyrë liberale”, është shprehur Përparim Avdili me rastin e zgjedhjes së tij kryetar i FDP-së për qytetin e Cyrihut.
Aktiv edhe në komunitetin shqiptar
Avdili është mjaft i njohur si aktivist politik edhe për komunitetin shqiptar të Cyrihut dhe të Zvicrës. Është interesante të kujtojmë se si ai ishte vënë në fokus të mediave zvicerane kur, në një fushatë zgjedhore para sa vitesh kishte publikuar një video, në të cilën kërkonte votën e shqiptarëve, duke folur në gjuhën shqipe.
Sigurisht, kjo video në gjuhën e tij amtare nuk ishte ndonjë “aksident”. Përparimi është i pranishëm në shumë aktivitete që janë zhvilluar për vite me radhë brenda këtij komuniteti, duke marrë edhe përgjegjësi prej politikani me përcaktime të qarta, si në rrafshin e politikës së partisë së tij, liberale, ashtu dhe në përfaqësimin e interesave të komunitetit shqiptar në Cyrih e më gjerë.
Politikani shqiptaro-zviceran është me profesion punonjës banke, ndërsa në politikën e Cyrihut dhe më gjerë ka bërë emër si politikan konsekuent në bindjet e tij liberale.
Profili i tij prej politikani serioz dhe të përgjegjshëm, i ndërtuar ndër vite, ka shtyrë redaksinë e Albinfo.ch që Përparim Avdilin ta shpallë Personalitet të Vitit 2022 në sferën e politikës.
Urime, Përparim!
(Fotot: Rromir Imami)
E-Diaspora
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se deri më tani...
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent Ndërsa moti i ftohtë pritet të arrijë në ditët në vijim, Qyteti i Gjenevës do të...
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra