Tematike

Politikani nga SVP ngre alarmin kundër pranimit të mundshëm të Kosovës në BE

Matter: "Zvicra, në rast të një zgjerimi të BE-së në shtetet ballkanike, marrëveshjen ekzistuese për lëvizje të lirë detyrohet ta shtrijë edhe në këto shtete. Presioni për migrim kështu do të bëhet edhe më dramatik, pasi që gjendja ekonomike në këto shtete të Ballkanit është e pashpresë dhe pasi që në Zvicër jetojnë tashmë shumë njerëz nga ky regjion"

Dëshira e kosovarëve për anëtarësim në BE mund të plotësohet në pak vite. Kjo, për faktin se BE ua ka vënë në horizont shteteve të Ballkanit Perëndimor: Serbisë, Malit të Zi. Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Kosovës pranimin e tyre në gjirin e saj deri në vitin 2025, shkruan 20minuten.ch.

Me disa nga shtetet janë tashmë duke u zhvilluar bisedimet për anëtarësim. Komisioni i BE-së dëshiron që përmes caktimit të datës t`i motivojë qeveritë përkatëse që të ndërmarrin reformat e duhura, transmeton albinfo.ch. Është një “datë indikative, një datë trimëruese”, ka thënë presidenti i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker para Parlamentit Evropian në Strasburg. Por aktualisht shtetet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg nga plotësimi i kushteve”. Për shembull, konfliktet brenda regjionit duhet të jenë të zgjidhura para pranimit në BE.

Mirëpo, një parti në Zvicër pi ndihet e shqetësuar nga planet e BE-së për zgjerim. Kjo është SVP- ja e cila me një iniciativë të saj ka kohë që synon ndërprerjen e marrëveshjes për lëvizje të lirë me BE-në, shkruan albinfo.ch. Deputeti i kësaj partie në Parlamentin e Zvicrës, Thomas Matter në një video që e ka publikuar në facebook tërheq vërejtjen se “Zvicra, në rast të një zgjerimi të BE-së në shtetet ballkanike, marrëveshjen ekzistuese për lëvizje të lirë detyrohet ta shtrijë edhe në këto shtete. Presioni për migrim kështu do të bëhet edhe më dramatik, pasi që gjendja ekonomike në këto shtete të Ballkanit është e pashpresë dhe pasi që në Zvicër jetojnë tashmë shumë njerëz nga ky regjion.

Sipas Zyrës Federale për Statistikë, këtu jetojnë 280 mijë njerëz nga 6 shtete e Ballkanir Perëndimor, pa i llogaritur këtu ata që krahas shtetësisë së vendit të prejardhjes, kanë edhe atë të Zvicrës. Për deputetin Matter kjo është e qartë: “Njerëzit shkojnë atje ku u jetojnë të afërmit dhe të njohurit”.

Por ndryshe mendojne përfaqësues të partive tjera. Kështu, deputeti nga Partia Socialdemokrate (SP) Eric Nussbaumer thotë: “është një punë e mirë kur shtetet evropiane – edhe ato të Ballkanit – synojnë anëtarësimin në BE. Lidhja e fuqishme ekonomike dhe kooperimet janë mjeti më i mirë kundër çdo nacionalizmi që rrezikon paqen. Por Nussbaumer shton se “shtetet kandidate potenciale duhet të përmbushin kriteret për performancë më të mirë ekonomike, për shtet të të drejtës dhe për rend demokratik të stabilizuar”.

Edhe deputetja nga CVP, Kathy Riklin ka folur për një “skenar frike” që po e promovon SVP-ja. “As pas zgjerimit të BE-së me Bullgarinë dhe Rumaninë nuk kishte pasur migrim të madh nga këto vende”, transmeton albinfo.ch. Por edhe ashtu ajo nuk beson se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të shkojë kaq shpejt . “Vetë BE-ja është bërë e kujdesshme pas zgjerimit të shpejtë – shumë të shpejtë drejt lindjes”, ka thënë Riklin.