Shkurt.ch

Politikani i SVP-UDC-së denoncohet për racizëm

Heer: "Të rinjtë nga Tunizia vijnë këtu si azilkërkues me qëllimin e përcaktuar paraprakisht për tu bërë kriminelë"

Edhe një politikan i SVP-UDC-së ndodhet në shënjestër të drejtësisë. Alfdred Heer, që është kryetar i seksionit të kësaj partie për kantonin e Cyrihut, dhe deputet nacional është paditur për shkelje të ligjit kudnër racizmit.

Në një emision në Tele Züri ai i ka ofenduar tunizianët e rinj që kërkojnë azil në Zvicër.

“Pikërisht afrikanët e veriut nga Tunizia vijnë këtu si azilkërkues me qëllimin e përcaktuar paraprakisht për tu bërë kriminelë. Për ta është krejt njësoj se a u jepen ndihma emergjente apo sociale”, ka thënë Heer në këtë emision.

Ky deklarim i tij, sipas avokatit nga Cyrihu, David Gibor, përbën shkelje të ligjit kundër racizmit. Avokati në fjalë e ka bërë padinë në emrin e dy personave me prejardhje tuniziane.

Zyra për informim e kryeprokurorit të Cyrihut ka konfirmuar të enjten një njoftim të publikuar më herët në tagesanzeiger/newsnet.ch në lidhje me padinë.

Muajve të fundit ka pasur disa raste kur politikanë nivelesh të ndryshme të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP-UDC) janë denoncuar për vepra penale të drejtuara kundër të huajve.