Kosova

Policia në Prishtinë merr masa pas shpeshtimit të grabitjeve

Pas rritjeve të rasteve të grabitjeve në regjionin e Prishtinës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, njofton se ka mbledhur në një takim stafin menaxherial dhe komandantët e stacioneve të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës.

Në këtë takim është kërkuar të merren masa shtesë me qëllim të parandalimit të veprave të ndryshme kriminale, me theks të veçantë të grabitjeve, si dhe arrestimit të kryerësve të këtyre veprave penale.

Drejtori Qalaj ka kërkuar që të punohet dhe të angazhohen edhe më shumë që të krijohet një klimë e qetë dhe më e sigurt për qytetarët.

“Përveç hartimit të urdhrit operativ, u kërkua nga Drejtoria Rajonale që të implementohen planet konkrete për parandalim të grabitjeve”, theksohet në njoftim.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, njofton se sot ka takuar Drejtorin e Policisë me qëllim të intensifikimit të reagimeve kundër krimit të organizuar.

Ministri i Brendshëm e siguroi Policinë e Kosovës për mbështetjen e plotë në realizimin e detyrave operacionale.