Kosova

Policia i ka dhënë leje Vetëvendosjes për protestën e nesërme

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar me kërkesë Policisë së Kosovës për tubimin e nesërm në shesh të Prishtinës, e cila ka paralajmëruar se do të marrin pjesë deri në 5 mijë persona.

Në Policinë e Kosovës thonë se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për menaxhim të situatës për të garantuar qetësinë publike.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, kanë deklaruar nga Policia, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.

Nga ky institucion thonë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë.

Tubimi do të nisë nesër në sheshin “Skënderbeu”, “Ibrahim Rugova” dhe “Ademi Jashari”, nga ora 17:00 deri në orën 19:00, ndërkaq përgatitjet teknike nisin në orën 16:00.