Shkurt.ch

Policia e Solothurnit punëson shtetas të huaj!

"Edhe policia, ashtu sikurse të gjtha institucionet e kantonit, nevojitet të jenë pasqyrë e përbërjes së popullatës"

Policia e Kantonit të Solothurnit mund të punësojë në të ardhmen edhe policë që nuk e kanë shtetësinë zvicerane. Me një veprim të tillë do të pasqyrohej më mirë përqindja e lartë e të huajve në popullatën e këtushme, thonë në qeverinë e kantonit.

Këtë qëndrim, qeveria planifikon ta inkorporojë në ligjin në ndryshim, për policinë e kantonit.

Deri më tash, e drejta për të punuar si polic u ishte rezervuar vetëm shtetasve zviceranë. Por tash, përqindja e të huajve është 19.5% dhe shumë nga këta të huaj janë të lindur në Zvicër si dhe të integruar mirë këtu. Për këtë arsye edhe policia, ashtu sikurse të gjtha institucionet e administratës së kantonit, nevojitet të jenë pasqyrë e përbërjes së popullatës, arsyeton qeveria.

Veç kësaj, policët me prejardhje të huaj, falë shumëgjuhësisë së tyre dhe njohjes së kulturave dhe mentaliteteve të ndryshme, do të ishin një vlerë e shtuar në policinë e këtushme.

Po kështu, qeveria e kantonit të Soloturnit llogarit se me hapjen ndaj të huajve, policia do të zbusë situatën e pakënaqshme me rekrutimin e policëve të rinj.