Kosova

Policia e Kosovës: Situatë e qetë në pikat kufitare Kosovë-Serbi

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se situata në veri është e qetë dhe se nuk është shënuar ndonjë incident në orët e fundit.

“Situatë e qetë, pa incidente”, ka thënë Elshani.

Pikat kufitare në Merdar dhe Bërnjak janë mbyllur mbrëmë pas veprimeve të protestueve serbë, ndërsa në Jarinje vazhdon bllokada për qytetarët me dokumente të Kosovës.

Lidhur me mbylljen e këtyre dy pikave njoftoi vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar, të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Një familje, e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodh para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkëfajtore. Këto akte fashiste, ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, u shpreh mbrëmë Sveçla.

Ndërkohë, pas mbylljes së Bërnjakut ka reaguar edhe kryediplomatja Donika Gërvalla, e cila tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.

Ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ndalojnë presidentin e Serbisë e të mos lejojnë përshkallëzim të situate më tutje.