Koronavirusi: çast pas çasti

Policia e Kosovës ndalon 20 persona që nuk respektuan masat kundër Covid-19

Policia e Kosovës ka njoftuar së gjatë 24 orëve të fundit janë ndaluar 20 persona në gjithë territorin e vendit, si pasojë e mosrespektimit të masave qeveritare kundër koronavirusit.

Në komunën e Pejës është numri më i madh i të ndaluarve, përkatësisht 11 persona, pasuar nga komuna e Mitrovicës së jugut me 3 persona.

Nga e hëna në Kosovë fillon faza e dytë e lehësimit të masave, qytetarët kanë të drejtë të dalin dy herë nga dy orë në ditë, varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim.

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

“Nga e hëna do të rihpahen edhe disa biznese: floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë”, tha ai.

Numri total i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 955.

Prej tyre, 29 vetë kanë humbur jetën. Shumica nga ta kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 691 raste, përcjell Albinfo.ch.