Lajme

Policia e Kosovës ka konfiskuar 31 kg marihuanë

Policia e Kosovës gjatë një kontrolli ka arrestuar sot dy shtetas nga Shqipëria ku në veturë janë gjetur 31 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë, dokumente, telefona dhe para.

Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Gjakovë, pas marrjes së informacioneve për një veturë të dyshuar ka dalë në lokacion, me ç’rast ka vëzhguar dy persona të dyshuar. I dyshuari i parë kishte të parkuar veturën në një parking, ndërkohë me veturën e të dyshuarit të dytë kanë vazhduar në drejtim të qytetit të Gjakovës.

Drejtoritë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Gjakovë dhe Pejë kanë bërë kontrollimin e veturës së të dyshuarit të parë, e cila ka qenë e parkuar, me ç’rast në bagazh janë gjetur dhe konfiskuar 31 kg drogë, një dokument, dy leje të qarkullimit dhe çelësat e veturave, tre telefona, 75 euro dhe 1800 lekë të Shqipërisë.

Janë konfiskuar të dyja veturat e të dyshuarve A. M. (1979) dhe A. M. (1995), të cilët janë arrestuar me këtë rast, njoftojnë mediat kosovare.