Kosova

Policia e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë, aksion kundër pastrimit të parave

Policia e Kosovës dhe Policia e Gjermanisë po zhvillojnë një aksion të përbashkët në Prishtinë dhe Ferizaj.

Këtë e ka konfirmuar për albinfo.ch zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një operacion policor që ka për gjetjen e dëshmive me qëllim të vërtetimit të veprës penale që ndërlidhet me “Pastrim të parave”.

“Ju konfirmoj se sot nga ora 11:00 Policia e Republikës së Kosovës, respektivisht Sektori për hetimin financiar në kuadër të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e shtetit të Gjermanisë janë në proces të realizimit një operacion të përbashkët, nën mbikëqyrje nga një prokuror special vendas dhe një prokuror gjerman, i cili operacion ka për qëllim gjetjen e dëshmive me qëllim të vërtetimit të veprës penale që ndërlidhet me “Pastrim të parave”. Operacioni i referohet zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata kompetente për kontroll/bastisje në gjashtë (6), lokacione në dy qytete, në Prishtinë dhe Ferizaj dhe pas përfundimit do të njoftoheni për rezultatet e tij”, ka thënë Hoxha në një përgjigje për albinfo.ch.