Kosova

Policia e Kosovës arreston dy persona të dyshuar për vjedhje në Austri

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar aksione në Prishtinë dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të rënda në Austri.

“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme – Prishtinë, në aksione të ndara janë arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda që kanë ndodhur në Austri. Rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore,(dhjetor 2022- janar 2023). Puna e hetuesve rajonalë është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative në koordinim me Prokurorinë, Gjykatën Themelore dhe hetuesit nga Republika e Austrisë, kanë arrestuar dy personat e dyshuar, L.B. mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe I. V. mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, njofton Policia.

Sipas Policisë, janë sekuestruar stoli ari, fishekë e automjete dhe ka identifikuar një të dyshuar tjetër.

“Pjesë e aksioneve ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit janë gjetur dhe janë sekuestruar stoli ari, 156 fishekë, 2 automjete etj. Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar”, thuhet tutje në njoftim, përcjell albinfo.ch.