Shkurt.ch

Policia bllokon rrugët për të siguruar dasmën e romëve

Në një pronë të një fshatari në komunën Collombey –Murraz të Valisit, një komunitet romësh të ardhur nga Franca dhe nga Gjermania kishin vendosur kampin e tyre para disa ditësh. Ata kishin vendosur që aty të organizonin një dasmë të një pjesëtari të tyre. Ky veprim kishte ngjallur reagime të bujshme të pronarit të tokës po edhe të fshatarëve. Në fund, me ndërhyrjen e autoriteteve ishte arritur një kompromis, që romët të paguanin qiranë dhe ta lëshonin vendin të dielën (sot) në ora 14.

Mirëpo, për shkak të tendosjes së atmosferës në mes të romëve dhe banorëve, policia është detyruar të bllokojë disa rrugë në afërsi të kampit. Në adresë të kampistëve ishin dërguar shumë kërcënime përmes internetit.

Tema e romëve “kampistë” është shumë e rrahur këto ditë në shtypin e Zvicrës frankofone. Përveç në Valis, edhe kantoni Vaud është ballafaquar këtë vit me shtimin e romëve që kampojnë.