Integrimi

Polemikë: Valentina Smajli në qendër të mediave zvicerane

Valentina: Mos rikandidimi im nga SP në komisionin për natyralizim, pasojë e qëndrimeve të mia të mprehta

Valentina Smajli, aktiviste e njohur shoqërore shqiptare-zvicerane dhe anëtare e udhëheqjes së Partisë Socialdemokrate të Zvicrës, është gjetur këto ditë në fokus të medieve zvicerane.

Smajli, që për një vit e gjysmë ka qenë anëtare e komisionit për natyralizim (dhënie të shtetësisë zvicerane shtetasve të huaj), në qytetin e Lucernit, nuk është rikandiduar më nga partia e saj për të marrë pjesë në atë komision. Kjo ka ndodhur, sipas pohimeve të saj, për shkak se qëndrimet që ka mbajtur ajo në punën e komisionit i ka nxjerrë jashtë kolegu i saj nga e njëjta parti, Simon Roth. Ky i fundit ka shkelur detyrimin për ruajtjen e sekretit zyrtar duke përcjellë në kryesinë lokale të partisë hollësitë nga puna e komisionit.

Ajo që ka zbuluar Roth është se Valentina Smajli ka pasur kritere shumë rigoroze dhe, si rezultat i këtyre kritereve, shumë kandidatëve u është shtyrë ose u është hedhur poshtë kërkesa për natyralizim.

E kontaktuar nga albinfo.ch lidhur me rastin, Valentina shprehet qartë se ka mbajtur qëndrim parimor sa u përket natyralizimeve. “Për mua ka qenë gjithmonë me rëndësi që personat me vullnet për tu natyralizuar, të natyralizohen në mënyrë korrekte dhe transparente, për shkakun se ata në jetën e tyre kanë shumë pengesa për të kaluar. Këtë unë e di edhe nga përvoja ime personale pasi që edhe unë vetë kam fituar shtetësinë zvicerane para disa viteve dhe e kam përjetuar këtë proces mbi lëkurën time”, shprehet fillimisht Valentina Smajli.

Ajo shton se në punën e saj në komision i është dashur të zhvillojë një strategji që personave që natyralizohen tu bëhet më i lehtë ky proces. “Këtë e kam bërë nga dashuria për migrantët dhe në të mirë të gjithë shoqërisë. Në këtë kontekst, mua më është drejtuar akuza se kam bllokuar ose madje edhe kam refuzuar kërkesat për natyralizim. Këto pohime janë të pakuptueshme për mua. Fundja, siç mund të shihet edhe nga raporti i komisionit tonë për vitin 2011, janë 97.5% të kërkesave për pasaportën zvicerane që NUK janë refuzuar”, thotë Valentina duke e vënë theksin në kotësinë e akuzave që i janë bërë.

Por, “duhet të jetë e nënkuptueshme që nga njerëzit të cilët duan të bëhen zviceranë, të pritet që të respektojnë rregullat tona themelore demokratike, të integrohen, të mësojnë njërën nga gjuhët e vendit dhe t`i përmbahen rendit juridik”, shton ajo.

“Në rast se një migrant ka ushtruar dhunë dhe emri i tij gjendet në regjistrin e delikteve, unë e hulumtoj në mënyrë kritike rastin. Mendoj se persona të tillë nuk duhet të shpërblehen për sjelljet e tyre. Dhe e gjithë kjo është brenda konceptit të politikës socialdemokratike. Sepse është pikërisht SP-ja, e cila në kantonin e Lucernit është angazhuar në radhët e para të frontit për të luftuar më fuqishëm dhe pa kompromis dhunën familjare”.

Si zvicerane me prejardhje të huaj dhe si myslimane, unë i njoh me saktësi disa veçori të sjelljeve të grupeve të caktuara të të huajve në Zvicër prandaj unë i rishqyrtoj rastet e tilla si dhe mbaj qëndrim kritik ndaj tyre.

E pyetur nëse pas këtij konflikti me partinë e saj ka menduar për të ndërruar atë, Valentina Smajli thotë se me gjithë kundërshtimet që ka hasur brenda partisë, nuk mendon të braktisë. “Unë jam anëtare e SP-së së qytetit të Lucernit dhe bëj pjesë në drejtimin e SP-së në nivel të Zvicrës. Partia Socialdemokrate, si partia më e madhe e majtë në Zvicër ka hapësirë për nuanca të ndryshme të politikës, që synojnë një Zvicër tolerante dhe të hapur ndaj botës. Unë mendoj se zhvillimi më i ri brenda partisë duhet të hulumtohet më hollësisht. Për ta bërë këtë nevojitet një instancë më e lartë, ndonjë sqarim i natyrës juridike”, përfundon Valentina Smajli, duke na njoftuar se prokuroria përkatëse tashmë ka nisur procedurën lidhur me daljen e informatave jashtë komisionit. “Bëhet fjalë për vepër që ndiqet nga pozicioni zyrtar”, sqaron ajo për albinfo.ch.

Smajli thotë se ndjehet mirë që, siç merr vesh ndërkohë, ajo ka marrë mbështetje edhe nga radhët e partisë së saj, SP-së. Nënkryetari i kësaj partie për Schaffhausen i ka shprehur përkrahje publikisht, përmes medieve. “Ka edhe shumë të tjerë, nga partia ime që në mënyra të ndryshme më kanë mbështetur”, thotë ajo.

Dy anëtarë të komisionit të Lucernit për natyralizim, që përfaqësojnë SVP-në dhe FDP-në kanë shpërndarë një komunikatë për medie përmes të cilës akuzojnë kolegun nga SP-PS për nxjerrje jashtë të të dhënave të brendshme nga puna e komisionit për natyralizim.

Sipas SP-së, Valentina ka votuar në mënyrë shumë të diferencuar në krahasim me qëndrimin e partisë së saj. Me fjalë tjera, ajo ka refuzuar tepër shumë kërkesa për natyralizim.

„Kreu i partisë më ka ballafaquar në mënyrë të papritur me informatat që kishte marrë në lidhje me qëndrimin tim në komision. Kjo më shtyn të supozoj se informacionet e brendshme janë bartur jashtë komisionit”. Dhe kjo, është evidente se është bërë nga anëtari tjetër i komisionit dhe nënkryetari i SP-së së Lucernit, Simon Roth. Smajli thotë se: “Kolegu im partiak në komision ka deklaruar në mënyrë kategorike se nuk dëshiron dhe nuk mundet të bashkëpunojë më me mua”.

Si rezultat i ndikimit të Roth në kryesinë e partisë, Smajli nuk është zgjedhur sërish për ta përfaqësuar partinë e saj në komisionin ku SP i ka dy vende. Është propozuar sërish Simon Roth dhe një tjetër. Zgjedhja do të bëhet më 6 shtator, ndërsa FDP dhe SVP kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Roth-in, për shkak të sjelljes, sipas tyre, të papërgjegjshme, që ka treguar duke zbuluar informatat e brendshme të komisionit.