Lajme

Po ecte këmbë në autostradë, lëndohet rëndë kosovari, i goditur nga makina

Këmbësori është shtetas kosovar i cili kishte ndalim të hyrjes në Zvicër dhe po ashtu nuk kishte vendbanim të përhershëm në Zvicër, ka njoftuar Policia Kantonale

Një person që ishte në kërkim nga policia, po ecte në autostradën A1 pranë Baden AG gjatë natës dhe është goditur nga një makinë, transmeton albinfo.ch. 34-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda.

Këmbësori është shtetas kosovar i cili kishte ndalim të hyrjes në Zvicër dhe po ashtu nuk kishte vendbanim të përhershëm në Zvicër, ka njoftuar të premten policia kantonale në Aargau, shkruan sda.ch. Sipas informacioneve, ai është vënë re gjysmë ore para aksidentit në një pikë karburanti aty pranë për shkak të një zënke dhe është larguar me vrap nga ai vend.

Rreth orës 2:30 të mëngjesit, ai tashmë po ecte në autostradë drejt Cyrihut në daljen Baden-West, trasnmeton albinfo.ch. Aty ai është goditur nga makina e një shofereje 32-vjeçare, në korsinë e daljes.

Mjekët dhe policia e kanë gjetur atë me lëndime të rënda. Ai nuk ishte në gjendje të reagonte, ose të fliste. Një ambulancë e ka transportuar atë në spital. Sipas policisë, drejtuesja e automjetit ka shpëtuar pa lëndime por e traumatizuar.

Nuk dihen ende rrethanat e sakta të aksidentit. Zyra e prokurorit publik në Baden ka hapur hetimet përkatëse.

(Foto: KAPO, Aargau)