Kosova

Po bëhen gati 16 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Zvicrës dhe Kosovës

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, ka shkruar se nga viti 1960, Zvicra rekrutonte punëtorë nga rajoni. Në kaosin e konflikteve të viteve 1990, dhjetëra-mijëra njerëz u larguan dhe arritën në Zvicër si refugjatë.

Vlen të theksohet se gjatë konfliktit të viteve 1998-99, Zvicra ofroi ndihmë humanitare dhe ngriti programe për kthimin dhe riintegrimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Këto aktivitete që atëherë janë zëvendësuar nga programet e rindërtimit dhe zhvillimit.

“Zvicra e njohu Kosovën më 27 shkurt 2008, dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe konsullore. Që atëherë, këto marrëdhënie janë thelluar më tej dhe janë shtrirë në një gamë të gjerë fushash bashkëpunimi. Jam i kënaqur që unë dhe ekipi im mund të kontribuojmë në thellimin e mëtejshëm të kësaj marrëdhënieje”, shprehet Sprecher për platformën albinfo.ch.