Shqipëri
Plazhet magjike të Sarandës
Sapo mbërrini në Sarandë keni mundësinë e të zgjedhurit mes disa plazheve spektakulare që plotësojnë njëra-tjetrën, përcjell albinfo.ch.
Secili prej nesh ka një version të caktuar të blusë apo kaltërsisë së detit që i pëlqen më shumë se versionet e tjera. Në plazhet e Sarandës ju do mund të gjeni ekzaktësisht atë tonalitet të detit që keni ëndërruar aq shumë gjatë ditëve të tjera të vitit, shoqëruar nga rëra apo guralecët e pastër, si dhe plot bare e restorante të nivelit të lartë.
Përgjatë gjithë qytetit ka plot plazhe publike që ia vlen të provohen, si dhe plazhe private të hoteleve anës detit, të cilat sidoqoftë janë të aksesueshme nga kushdo (kundrejt pagesës). Por ajo çka i jep vërtet famën Sarandës, janë plazhet përrallore që shfaqen si me magji njëri pas tjetrit, duke ndjekur rrugën për në Butrint. Duke respektuar pozicionin e tyre, po jua paraqesim ashtu siç dhe vijnë në rrugëtim.
Plazhi i Manastirit
Një nga plazhet e kristalta më të bukura të Rivierës Shqiptare është Plazhi i Manastirit, që mban këtë emër nga Manastiri i Shën Gjergjit që ndodhet në kodrën mbi plazh. Tek sa jeni duke zbritur kodrën, menjëherë ju shfaqet si një ëndërr deti ndjellës, e kjo ëndërr nis e bëhet përherë e më e qartë dhe e shkëlqyeshme tek sa i afroheni bregut.
Plazhi i Pasqyrave
Nëse do të kishte një klasifikim zyrtar se cili është plazhi më i bukur i rivierës shqiptare, Plazhi i Pasqyrave pa dyshim që do të duhej të merrte një nga pozicionet kryesore. Kjo konfirmohet dhe nga qindra vlerësimet që i bëhen online këtij plazhi, si p.sh. në faqen më të madhe të turizmit në botë tripadvisor, ku shumica e komentuesve bien dakort për magjinë e rrallë të tij.
Plazhi i Pulëbardhës
Përgjatë gjithë stinës së verës, të duhet të nisesh që në mëngjes për të zënë një nga çadrat me shezllongje, në mënyrë që ta shijosh plotësisht e deri në orët e vona të mbasdites qëndrimin aty. Megjithatë edhe për pushuesit që kanë festuar deri në orët e vona të mbrëmjes, ekziston gjithmonë mundësia e marrjes së një çadre vetjake, e cila mund të vendoset lehtësisht në një nga hapësirat publike.
Ksamil
Pak kilometra në jug të Sarandës gjendet fshati i Ksamilit, një nga surprizat më të mrekullueshme që ofron turizmi shqiptar. Falë detit të kristaltë e ishujve me plazhe mahnitëse që arrihen lehtësisht nga bregu, si dhe afërsisë me Butrintin (pasuri botërore e UNESCOs), vitet e fundit ky vend ka tërhequr vëmendjen e plot mediave ndërkombëtare që e kanë vendosur në listat e destinacioneve të jugut të Evropës që nuk duhet të humbisni.
Ishujt binjakë të Ksamilit
Përgjatë gjithë kohës varkat e vogla ikin e vijnë me plazhistë që zgjedhin për disa orë të pushojnë në ishujt përrallorë që në total janë katër, po ku spikasin ishujt binjakë të Ksamilit. Këta ishuj quhen kështu për faktin se janë të lidhur njëri me tjetrin përmes një rripi të ngushtë rëre, që të krijon një ndjesi të papërshkrueshme tek sa gjendesh në pikëtakimin e dy brigjeve të ndryshme detare. Falë qetësisë perfekte dhe bimësisë së dendur të ishujve, edhe pse fare pranë zonave të banuara të duket sikur je në ndonjë parajsë tropikale prej së cilës nuk do të largohesh.
Hotelet, baret dhe restorantet përgjatë gjithë fshatit të Ksamilit ofrojnë shërbimë cilësore e mundësojnë një pushim tejet relaksues e komod. Gatimet e detit plot shije apo koktejlet freskuese janë një garanci më tepër për të shijuar si duhet diellin mesdhetar. Nga kanoat apo rrëshqitëset mbi ujë, tek zhytjet e shoqëruara nga profesionistë apo lundrimet me varka, mundësitë e argëtimit në Ksamil janë nga më të ndryshmet.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëri
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër? Furnizimi i Zvicrës me ushqime është ndër më të sigurtit në botë, por kjo nuk do...
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër?