Kosova

Platforma“Made in Kosova” promovon potencialin ekonomik, kulturor e turistik

Në ambientet e TechPark Prishtina, sot u përuruan këndi dhe platforma më e re “Made in Kosova”, që vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe agjencisë amerikane USAID. “Made in Kosova” apo MIK synon të jetë dritarja e parë digjitale institucionale, e cila do të përmbushë interesimin e njerëzve për të mësuar më shumë për realitetin e potencialin ekonomik, kulturor e turistik të Kosovës.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu se ky projekt prezanton potencialin, kreativitetin dhe veprimtarinë e vendit tonë, drejt një njohje të gjerë e një tregu ndërkombëtar përmes misioneve tona diplomatike e konsullore.

“Platforma “Made in Kosova” nuk është simbolike, por përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyçë të vendit tonë, me shifra të cilat jo vetëm iu shërbejnë investitorëve potencialë, por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset vendi ynë”, tha ai.

“Nëse hyn te sektori i verërave, për shembull, ke mundësi ta shohësh saktësisht sa hektarë vreshta janë në Rahovec, Suharekë e Malishevë. Ndërsa te përpunimi i drurit figuron që industria në fjalë kishte 1 miliard euro qarkullim në 5 vjetët e fundit. Gjithashtu, platforma krijon mundësi të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën MPJD-ja e lidh me departamentin përkatës. Kështu që “it got lost in the mail” nuk vlen më as për dërguesit e porosisë, e as për të cilët e pranojnë atë”, shtelloi më tej ai.

Tutje shtoi se platforma krijon mundësi edhe të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e lidh me departamentin përkatës.

Ndërkaq, këndi fizik i “Made in Kosova” mundëson që prodhuesit, artistët dhe sipërmarrësit tanë të shfaqen në çdo mision diplomatik. Sipas kryeministrit Kurti, synimi i platformës dhe këndit MiK është të ndërtojë një imazh të fuqishëm dhe të besueshëm të Kosovës, duke shtrirë mundësitë për bizneset vendore për të hyrë në tregje të reja dhe për të tërhequr drejtpërdrejt investime të huaja.

Gjersa po jetësohen këto iniciativa, kryeministri kujtoi mungesën e një platforme të tillë deri më sot, ku si pasojë Kosova qëndroi e izoluar për shumë vite jashtë vëmendjes që pothuajse të gjitha shtetet evropiane e gëzojnë. “Sot, ne shpalosim vendin ku mund të shihet potenciali dhe puna e vendit tonë. E me emrin e kësaj platforme, ne nderojmë miqësinë kosovare dhe të gjithë ata që shërbyen si diplomatë të vendit tonë, para se të kishte ministri të punëve të jashtme e aq më pak ambasadorë”, tha ai.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, tha se kjo platformë do ta përmirësojë imazhin global të biznesit të Kosovës.

“Kënaqësi që u bashkohem kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministres Gervalla dhe zyrtarëve për ta lansuar sot platformën Made in Kosova. Me mbështetjen e USAID-it në Kosovë, kjo platformë do ta përmirësojë imazhin global të biznesit të Kosovës, duke shfaqur cilësinë, diversitetin dhe konkurrencën e produkteve kosovare për investitorët dhe blerësit. #MadeinKosovo”, shkroi Hovenier.