Lajme
Plani i reformës së OKB-së u miratua, pavarësisht kundërshtimit rus
Komuniteti ndërkombëtar miratoi një plan për të reformuar Kombet e Bashkuara, të quajtur “Pakti për të Ardhmen”, pavarësisht përpjekjeve ruse për ta prishur atë.
Komuniteti ndërkombëtar në Samitin e së Ardhmes në Nju-Jork të dielën miratoi një “Pakt për të Ardhmen” që synon adresimin e sfidave gjithëpërfshirëse të shekullit të 21-të, pavarësisht përpjekjeve ruse për të prishur marrëveshjen.
“Pakti për të Ardhmen është miratuar nga vendet anëtare me konsensus në selinë e OKB-së në Nju-Jork. Miratimi do të ndihmojë në hapjen e rrugës për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruante llogaria zyrtare e OKB-së në X.
Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, i cili organizoi “Samitin e së Ardhmes”, e quajti atë një “mundësi që ndodh një herë në brez” për të riformuar historinë njerëzore, duke rigjallëruar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se ai po llogariste në paktin e miratuar, i cili ishte negociuar nga Gjermania dhe Namibia gjatë shumë muajve, për të krijuar besim të ri në Kombet e Bashkuara.
“Pakti për të Ardhmen mund të shërbejë si një busull për ne. Një busull, gjilpëra e të cilit drejton më shumë bashkëpunim dhe partneritet, në vend të më shumë konflikteve dhe fragmentimit”, tha Scholz.
Në versionin e miratuar të paktit, udhëheqësit u zotuan të forcojnë sistemin shumëpalësh për “të mbajtur ritmin me një botë në ndryshim” dhe për të “mbrojtur nevojat dhe interesat e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm” që përballen me “kriza të vazhdueshme”.
Pakti përshkruan 56 “veprime”, duke përfshirë angazhimet për multilateralizmin, mbështetjen e Kartës së OKB-së dhe ruajtjen e paqes.
Ky pakt përfshin deklaratat e synimit për të reformuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe bën thirrje për një rregullim të sistemit financiar ndërkombëtar në favor të të ashtuquajturit Jug Global.
Ai gjithashtu bën thirrje për përpjekje të reja për të luftuar ndryshimet klimatike, për të promovuar çarmatimin dhe për të udhëhequr zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Pakti premton të përshpejtojë përpjekjet për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, të cilat synojnë të zhdukin varfërinë ekstreme deri në vitin 2030, të intensifikojnë luftën kundër urisë dhe të promovojnë barazinë gjinore dhe arsimin.
Rusia u distancua nga marrëveshja, e cila supozohej të miratohej unanimisht. Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Vershinin, tha se vendeve që nuk ishin të kënaqura me marrëveshjen nuk u është dhënë mundësia për negociata të mëtejshme.
“Nëse amendamenti ynë nuk përfshihet në tekstin e paktit, ne gjithashtu do të distancohemi nga konsensusi për këtë dokument”, tha Vershinin, duke paraqitur një amendament që thekson “parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve” dhe duke i kërkuar OKB-së për të shmangur përpjekjet e dyfishta.
Menjëherë pas njoftimit rus, Republika Demokratike e Kongos paraqiti një mocion për të refuzuar masën e Rusisë, i cili u pranua me një shumicë prej 143 votash në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Pas miratimit të paktit, zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Dmitry Polyanskiy, në një postim në X e quajti atë “të pabalancuar” dhe “një goditje të madhe për organizatën në tërësi”. Kundërshtimet e Rusisë u mbështetën nga aleatët Bjellorusia, Koreja e Veriut, Irani, Nikaragua dhe Siria.
Diplomatët tashmë ishin të shqetësuar për pengimin e Rusisë gjatë punës për paktin, por thuhet se prisnin që Rusia të mbështeste kompromisin e negociuar me mundim, pavarësisht kërcënimeve të saj. /DW
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Tarifa e urgjencës prej 50 frangash vazhdon të shkaktojë polemika Polemika po rritet në lidhje me dënimin e propozuar për njerëzit që kërkojnë kujdes mjekësor urgjent...
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë