Lajme

Plagosje e rëndë, arrestohen dy shqiptarë në Itali

Duket se përshëndetja e një vajze në klubin e natës ‘Utopia’ në Padova ka denigruar në përleshje me thika mes dy grupeve, përcjell albinfo.ch.

Policia italiane arrestoi 2 shqiptarë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë, të moshës 34 dhe 35 vjeç. Urdhrat e arrestit u lëshuan nga Prokuroria.

Akuzat ndaj tyre janë vrasja e mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e rëndë dhe mbajtja e armëve të ftohta pa leje. I plagosur nga sulmi mbeti një 30-vjeçar moldav, që mori disa goditje në trup, në pistën e vallëzimit të klubit.

Pasoja ishte humbja e një veshke, të cilën mjekët u detyruan që t’ia hiqnin me ndërhyrje kirurgjikale, si dhe një pjesë e zorrës së trashë. I lënduar mbeti edhe një 24-vjeçar rus.

Pas ngjarjes së rëndë, shefi i policisë, Marco Odorisio, mori menjëherë masa administrative, duke pezulluar për 4 muaj aktivitetin e klubit të natës. Krimi, sipas hetuesve, ka motive pasionante.

Autori kryesor i sulmit, një emigrant i paligjshëm në Itali, u kap pas ndjekjes, i fshehur në shtëpinë e të dashurës së tij, në Venecia. Ai u gjet i befasuar dhe tentoi të arratisej, por pa sukses. Kur policia hyri për kontroll në shtëpi, shqiptari ishte duke fjetur.

Gjatë kontrollit u gjetën rrobat që kishte veshur mbrëmjen e sulmit dhe një thikë (kamë) 22 centimetra, e fshehur në jastëkun ku flinte, si dhe një kaçavidë në xhepat e një xhakete.

Po më 7 prill, agjentët zbuluan vendndodhjen e bashkëpunëtorit tjetër, po ashtu shqiptar, me precedentë penalë për emigracion të paligjshëm dhe armëmbajtje pa leje. Edhe ky u kap i fshehur në shtëpinë e partneres, ku iu sekuestrua një tjetër thikë, e cila po analizohet për të vërtetuar nëse është arma e përdorur në krim.

Në banesë u gjetën të fshehura edhe 20 gramë kokainë të ndara në doza, një peshore precize dhe material për ambalazh, si dhe një shumë prej rreth 2 mijë eurosh në para të gatshme, të ardhura të supozuara nga trafiku i drogës. Për këtë arsye, shqiptarit iu ngrit kallëzim për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje.

Policia njoftoi se shkak i sherrit dhe plagosjes në klubin e natës ishte përshëndetja miqësore e moldavit me të dashurën e njërit prej dy sulmuesve. Ai e frekuentonte shpesh klubin dhe e njihte vajzën prej kohësh, informon media italiane.

Dëshmitarët panë që, pas bisedës me vajzën, dy shqiptarët e sulmuan në mënyrë agresive moldavin dhe mund ta kishin vrarë nëse të pranishmit nuk do të kishin ulëritur e dhënë alarmin të frikësuar. Autorët u arratisën nga vendngjarja me makina.

Shënim: Disa imazhe janë marrë nga interneti dhe konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë e tyre, ne do të citojmë autorin ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.