Muzikë

Recital brilant i pianistes nga Gjilani, Anila Aliu, në Gjermani

Organizatori ishte i kënaqur me sallën e mbushur përplot. Madje u desh të silleshin edhe karrige shtesë...

Të dielën, më 9 tetor, në Bad Honnef-Aegidienberg, Anila Aliu, një pianiste e re (22 vjeçare) nga Kosova (Gjilani), luajti një recital të sofistikuar me vepra të Beethoven-it, Liszt-it, Chopin-it, Schuhmann-it dhe Lyapunovit, transmeton albinfo.ch. Këtë e bëri me një shkëlqim delikat dhe prani të madhe skenike.

Anila Aliu, vetëm pak muaj më parë ka luajtur në Carnegie Hall në Nju Jork dhe tashmë është në rrugë për një turne në Meksikë. Ndërsa këtu ajo ka mahnitur publikun në fillim të koncertit me sonatën e koncertit të L. van Beethoven-it që luhet shumë rrallë op.7 nr.4, shkruan https://honnef-heute.de.

Ajo tregoi teknikën e saj brilante dhe një aftësi të pjekur të interpretimit.

Pianistja tërheqëse ka treguar potencialin e saj të madh me Baladën nr.2 të Franz Liszt-it, Nocturnes Chopin op.48 dhe 27, Schumann – Sonata nr.2 op.22 si dhe Lyapunov – Etyd nr.6.

 

Pas koncertit të harpistes Magdalena Hoffmann (pak para fillimit të pandemisë), e cila së fundmi mori çmimin ‘German OPUS Classic Prize’, koncerti i 9 tetorit ishte padyshim një kulm për publikun e këtushëm, vazhdon gazeta.

Përgjigja e audiencës ishte e jashtëzakonshme. Organizatori ishte i kënaqur për koncertin, gjegjësisht me sallën e mbushur përplot, transmeton albinfo.ch. Madje u desh të silleshin edhe karrige shtesë.

Anila mori shumë duartrokitje. Ajo ka falënderuar publikun me pjesën ‘Kënga e dashurisë’ të kompozitorit shqiptar Simon Gjoni.

(Fotot: Organizatori)