Kosova

Pesë mijë kilometra mbi motor, për të shijuar trojet shqiptare

Aventura e katër motoristëve shqiptarë apo komedia hollywoodiane „Born to be Wild“?! Të dyja nga pak; do të thoshte secili që dëgjon rrëfimin rreth ëndrrës së motoristëve shqiptarë që jetojnë në mërgim për ta shkelur me motor vendin e prejardhjes, qytet pas qyteti

Të lodhur nga moti i keq në Zvicër, katër motoristë shqiptarë po bënin planin për të nisur aventurën e tyre verore drejt Kosovës e Shqipërisë me motorët që i kishte mbuluar pluhuri dimëror. Ata po hapnin hartat dhe vijëzonin rrugët e qytetet që donin t`i vizitonin. Kishin nisur me Ulqinin e deri në Gjirokastër, Korçë, Strugë e Prishtinë, por me të kuqe po bënin Prekazin e Krujën, si vende ku ka nisur rezistenca shqiptare e cila lidhet pashmangshëm edhe me historinë e migrimit të familjeve të tyre…

Katër shokë nga katër qytete të ndryshme, të bashkuar rreth klubi “Plisat” në Zvicër, tashmë kishin nisur aventurën e tyre drejt Shqipërisë duke ngarkuar motorët për adrenalinën e tyre tri javore në trenin e zhurmshëm të natës. Ai do t`i shpiente ata përmes Austrisë deri në kufirin e alpeve sllovene, për të vazhduar tutje rrugëve të ftohta gjarpërore deri në dalje të Adriatikut. Aty ku rruga e tyre do të merrte kursin drejt vendit të etërve të tyre; duke kaluar përmes qyteteve dalmate me gjurmë ilire deri ne Ulqinin e shqiptarëve.

“Rijekën bregdetare po e konsideronim si vijën startuese të aventurës sonë tri javore dhe këtu me aromën e detit, po fillonte kënaqesia jonë e madhe“, nisë rrëfimin e rrugëtimit të tij drejt Splitit, Lavdrimi nga Zajasi i  Kërçovës. Ai është një djalë i ri i cili është rritur në Cyrih me shumë shqiptarë të viseve të ndryshme, por Kosovën e Shqipërinë nuk e ka parë e vizituar asnjëherë siç po priste ta shihte në këtë aventurë me Valmirin e Topanicës. Kështu e thërret ai shokun e tij të fëmijërisë, Valmir Murinën, i cili ka prejardhjen nga Topanica e Kamenicës.

I bashkoi pasioni për motorët dhe për trojet shqiptare

Krah tyre janë Besar Hoti nga Ratkoci i Rahovecit dhe Ismail Jonuzi nga Ferizaj. Katër shokë të qyteteve të ndryshme të ngritur profesionalisht në drejtime të ndryshme, por që i ka bashkuar pasioni për motorin në klubin motoristik “Plisat” në Zvicër.

Një klub që pos aventurave motoristike ndjek fuqishëm edhe kursin e humanizmit dhe është lider i të gjitha klubeve shqiptare anembanë ku ato veprojnë për aktivitete humane, duke ndërtuar për çdo vit nga një shtëpi për familje të varfëra. Dhe tani kur jeni në lexim e sipër të këtij reportazhi, ata janë në finalizimin e shtëpisë së radhës për një familje shqiptare nga Shkupi. Humanizimi i tyre e bën këtë klub dhe anëtarët e Plisave, të njohur e të respektuar kudo që jetojnë. Pikërisht këtë ata po e ndjenin tek shqiptarët e Kroacisë gjersa po lëviznin krenarë me jelekët e tyre të stilizuar me simbolin “100 vjet shtet”. E do ta ndjenin edhe më fuqishëm, siç tregojnë ata, sa më shumë që i afroheshin tokës mëmë.

“Rrugës sonë drejtë Splitit, kishim ndaluar afër detit në qytetin Pag dhe po vërenim si na kishin identifikuar disa shqiptarë nga restoranti i tyre përmes jelekëve tanë. Pas një bisede vëllazërore me ta, ne hëngrëm drekën aty dhe vazhduam tutje drejtë Zarës, të lumtur që kishim takuar vëllezërit tanë që kishin restorantin e tyre në një qytet të mrekullueshëm”, rrëfen përjetimin e tij Valmiri dhe thithë cigaren me një tundje koke drejt Besartit. Ky i fundit nga pjesa e bukur e rrugëtimit të tyre tregon shiun që ua kishte prishur planin e ndalesës në Dubrovnik.

“Nuk ka kohë të keqe, ka vetëm rroba të këqija”

„Kemi pasur të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe nuk na ka mërzitur shiu sa mundësia e humbur për ta përjetuar tërë Dalmacinë përmes rrezeve të forta të diellit“.

Megjithatë,  kjo nuk i kishte trembur ata, fundja kush jeton në Zvicër nuk trembet nga shiu, pohojnë ata njëzëri. Dhe jo më kot ekziston thënia zvicerane: “Nuk ka kohë të keqe, ka vetëm rroba të këqija”.

“Po linim Dubrovnikun nëpër shi e po kalonim kufirin e Kroacisë. Kishim kaluar natën në Budva dhe të nesërmen morëm rrugën bjeshkëve për në Ulqin“.

Me Ulqinin po fillonte odiseja e vërtetë e një rrugëtimi të shumëpritur të katër motoristëve shqiptarë të cilët në një pjesë të mirë të rrugëve të mira të bregedetit kroat i kishte ndjekur shiu veror.

Përmes gurëve të kalasë së Ulqinit djemtë e Plisave po „mësonin“ historinë ilire të qytetit, luftën e Shkodrës për të dhe legjendën e Rozafës; dy qytete shqiptare të ndara por aq sa mund të konsiderohen Buna e Drini të ndarë.

„Përmes Ulqinit kaluam në Shkodër, te kalaja e Rozafës, dhe në Krujë te kalaja e Skënderbeut“ tregon Besart Hoti, përjetimet, historinë e mikpritjen shqiptare të cilën ata po e ndjenin më fort se kudo, në Tiranë, tek miqtë e tyre motoristë.

Mikpritje e ngrohtë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë

„Në Tiranë shkuam te miqtë tanë, motoristët e klubit „Enduro Albania“, të cilët na pritën jashtëzakonisht mirë“.

Pas një jave rrugë, të katërtit të veshur me emblemë të Plisave, po futeshin përmes Durrësit e Vlorës në thellësi të Shqipërisë.

Vlora dhe Saranda ishin destinacione që ata po i përjetonin nga një dimension tjetër, që mbase pa qenë motoristë, shprehen të katërtit, nuk e kupton dot bukurinë e atij peisazhi që të ofron jugu i Shqipërisë. Sidomos kur fillon të ngjitesh majës së Llogarasë mes hijeve të pishave e restoranteve me pamje magjepëse.

“Në Vlorë takuam një motorist shqiptar që kishte një hotel me restorant afër plazhit. Ishim të befasuar me ngrohtësinë mikpritëse të motoristit që kishte emrin Ramiz dhe kishte në pronësi restorantin “Sun Set”, të cilin nuk do ta harrojmë kurrë, sepse ne jo vetëm që po shijonim tërë atë perlë të bukur bregdetare, por edhe po impresionoheshim për çdo ditë me reagimet e ngrohta e mikpritëse të vendësve”, kujton Valmir Murina Shqipërinë turistike pranë shokut të tij Besartit, i cili nga frika që nuk e do ta përshkruante mjaftueshëm mirë përjetimin e tij, e kthen në gjermanisht.

“Kishim arritur nga Ulqini në qytetin e fundit të Shqipërisë, diku në mes të pushimit tonë, në Sarandë, dhe po planifikonim përmes rrugëve malore të shkonim në Korçë. Por nuk mund të kalonim andej pa e vizituar perlën e jugut, Syrin e Kaltër, e pa u ndalur në qytetin e vjetër të Gjirokastrës.

Befasia e bukur e Korçës

Ata po mendonin se me Syrin e Kaltër e me bukuritë e qytetit të vjetër në Gjirokastër, kishin parë e përjetuar tashmë Shqipërinë dhe do të bënin një ndalesë njëditëshe në Korçë, pastaj në Pogradec dhe kështu në pjesën e itenerarit të tyre “Balkantour 2019”, Shqipërinë po linin pas.

“Rruga për Korçë ishte shumë e prishur dhe kalonte fshatrave të vogla me pak banorë. Nuk kishte pika karburanti dhe ne gati sa nuk mbetëm pa benzinë. Kur shkonte rruga tatëpjetë, ne për ta kursyer karburantin, i fiknim motorët“, zbulon Besarti për pjesën e rrugës së dëmtuar dhe mungesën e investimit në atë pjesë, duke na bërë me dije se krenaria për vendin, nuk e kishte lejuar atë ta ndante këtë përjetim të hidhur me të dashurën e tij zvicerane.

Mirëpo për Korçën, tregon tutje ai, i kam treguar asaj dhe të gjithë miqëve të mi në Zvicër gjerë e gjatë. “Njerëzit e Korçës na befasuan me respektin e treguar ndaj nesh. Atë natë mbahej në qytet një Karneval internacional dhe korçarët na bënë për vete me festën e tyre kështu që ne vendosëm të qëndrojmë edhe një ditë aty.

„Prej Korçës e bëmë të nesërmen një xhiro deri në Pogradec dhe rreth liqenit deri në Strugë dhe prapë u kthyem në Korçë“ tregon Lavdrimi.

Pas dy netëve në Korçë, ata po merrnin rrugë drejt Kërçovës, në fshatin Zajas, te Lavdrimi dhe po kalonin përmes Gostivarit në Tetovë, Shkup dhe përmes grykës së Kaçanikut në Ferizajin e Ismailit ndërsa nga aty, në Ratkoc te Besarti.

Prekazi, pika kulmore e çdo rrugëtimi

„Kosova ka shumë vende interesante për t’i vizituar, por meqë kishim edhe pak ditë deri në mbarim të pushimit, dëshironim ta mbyllnim odisenë tonë tri javore në Prekaz duke nderuar të rënët e familjes Jashari. Kjo na mërziti sepse vetëm falë sakrificës së tyre ne sot po ecnim lirshëm e po përjetonim ëndrrën e Kosovës së lirë“, kujton edhe njëherë përjetimet kërçovari. Ai i kishte rënë Kosovës tej për tej, duke mos pasur idenë, se Balkan tour që kishin vijëzuar detajisht dy muaj më parë do të pësonte në fund një ndryshim, duke i shtuar hartës së tyre edhe Bullgarinë.

„Ishte një natë e vetme e organizuar krejt spontanisht që kaluam në kryeqytetin bulgar, Sofje, por e pa harruar dhe shumë e veçantë në jetën tonë“, kujton me cigare në gojë Valmiri bashkë me Besartin. Ai e ka fjalën për fitoren e Kosovës ndaj Bullgarisë në momentet e fundit  të lojës dhe festën e dardanëve që po i vinte kapakun një odisejeje të katër motoristëve të ardhur nga Zvicra. Pas këtij rrugëtimi të veçantë me mbi 5 mijë kilometra rrugë, ata po e linin Kosovën në festë e eufori të dhuruar nga djemtë e mërgimit, pa të cilët vendi nuk njeh gëzim e nuk njeh gjallëri.

Ulqini dhe Shkodra, Buna e Drini… 

Përmes gurëve të kalasë së Ulqinit djemtë e Plisave po „mësonin“ historinë ilire të qytetit, luftën e Shkodrës për të dhe legjendën e Rozafës; dy qytete shqiptare të ndara por aq sa mund të konsiderohen Buna e Drini të ndarë. „Përmes Ulqinit kaluam në Shkodër, te kalaja e Rozafës, dhe në Krujë te kalaja e Skënderbeut“ tregon Besart Hoti.

Festa e dardanëve në Sofje

Ishte një natë e vetme e organizuar krejt spontanisht që kaluam në kryeqytetin bulgar, Sofje, por e pa harruar dhe shumë e veçantë në jetën tonë“, kujton me cigare në gojë Valmiri bashkë me Besartin. Ai e ka fjalën për fitoren e Kosovës ndaj Bullgarisë në momentet e fundit  të lojës dhe festën e dardanëve që po i vinte kapakun një odisejeje të katër motoristëve të ardhur nga Zvicra.