E-Diaspora

Pesë gjëra që zviceranët mund të mësojnë nga shqiptarët

Vozitës të çmendur të makinave, njerëz që kacafyten shpesh apo keqpërdorin sistemin social zviceran: shqiptarët në Zvicër duhet të përballen shpesh me këto paragjykime, shkruan e përditshmja zvicerane “Blick”. Por kjo nuk vlen për të gjithë, dhe në vijim ju rëndisim pesë gjëra që një zviceran mund të mësojë nga një shqiptar.

Si fillim përmendet “të dish të festosh me karar” dhe si shembuj jepen dasmat ose klubet shqiptare si dhe festimet gjatë KE 2016. Më pas përmendet “krenaria kombëtare”, ku çdo shqiptar thuajse në çdo të dytën foto del duke ekspozuar shqiponjën dykrenore, si dhe “mikpritjen” ku është një arsye më shumë për të vizituar Shqipërinë – “kur ndokush në trojet shqiptare kupton se ti je zviceran, atëherë ti nuk ndjehesh më i huaj. Ti i përket familjes.”

Në fund përmendet edhe “ruajtja e lidhjeve familjare” dhe të “luash futboll”. Në Zvicër në moshën 18 vjeçare të rinjtë duan të “pavarësohen”, ndërsa te shqiptarët thuajse çdo fundjavë “vizitohen të afërmit”. Kur vjen puna te futbolli, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri ose Admir Mehmedi kanë kontrate me klube më të mëdha europiane. “Ata vërtet janë shkolluar në Zvicër, megjithatë një peshë e talentit të tyre peshon nga të qenurit shqiptar.”