Integrimi
Përvojat jetësore, si shtytje: Një avokat në mbrojtje të ligjit dhe arsimit
Anol Eshrefi: Pasioni për ligjin dhe përvojat e mia të jetës më kanë frymëzuar të mbroj të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve
Fuqizimi përmes arsimit: Avokati Anol Sherifi i cili ka ardhur në Zvicër si fëmijë i një familjeje refugjatësh tani po orienton pasionin e tij për të drejtat e njeriut dhe arsimin në punën e tij si avokat i pavarur për të mbrojtur të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve dhe për të luftuar për dinjitetin e tyre.
albinfo.ch: Si e keni zhvilluar pasionin tuaj për studimin e drejtësisë dhe cilat caqe i keni arritur në rrugën drejt realizimit të qëllimeve tuaja profesionale?
A. Eshrefi: Kur erdhëm në Zvicër shpesh na trajtonin sikur nuk i njihnim ligjet më elementare. Gjithmonë e kam parë këtë si mendjemadhësi, sepse ne nuk vinim nga një vend ku mbizotëronin të drejtat fisnore. Përveç kësaj, prindërit e mi ishin të privuar nga shumë të drejta nga ana e komunës dhe atyre gjithmonë u duhej të kundërshtonin vendimet e ardhura nga komuna. Si fëmijë emigrantësh, shpesh më duhej t’u përkthejja dokumente prindërve të mi. Përveç kësaj, shqiptarët në Kosovë, atdheun tim të prejardhjes, ishin të shtypur. Kështu që në fillim kam zhvilluar një ndjenjë të fortë drejtësie dhe jam interesuar për të drejtat e familjes sime dhe grupit tim etnik.
Hapi më i madh për mua ishte pranimi në Universitetin e Cyrihut dhe natyralizimi në Zvicër. Duke pasur këto dy parakushte, asgjë nuk mund të më pengonte më të realizoja ëndrrat e mia.
albinfo.ch: Në një postim në rrjetet sociale, ju përshkruani historinë tuaj të emigracionit nga këndvështrimi i fëmijërisë suaj. Pavarësisht sfidave të procedurës së azilit në Zvicër, si e shpjegoni faktin se i konsideronit kujtimet tuaja të kohës në kampet e refugjatëve si një lloj pushimi?
A. Eshrefi: Prindërit tanë na kishin thënë në fillim se qëndrimi ynë në Zvicër ishte i përkohshëm. Menduam se do të ktheheshim në shtëpi pas disa javësh. Prindërit e mi gjithmonë përpiqeshin të na e shpjegonin mua dhe motrës time të vogël arratisjen si një lloj pushimi. Sa herë që shqetësoheshim dhe pyesnim se sa kohë do të duhej të qëndronim këtu, ata gjithmonë gjenin fjalë inkurajimi dhe shprese që të mos shqetësoheshim. Ne kishim ikur pra nga një vend ku ushtrohej aparteid dhe shtypje mbi shqiptarët e Kosovës dhe ndiheshim të sigurt në Zvicër. Ky ishte një lehtësim duke pasur parasysh se ne më parë (në Kosovë) duhej të qëndronim në brenda banesën tonë dhe gjithmonë kishim frikë se mos vinte policia dhe na merrte prindërit në çdo kohë, sepse ata ishin politikisht aktivë.
Babai im punonte si kameraman në televizionin shtetëror dhe nëna ime sapo kishte mbaruar fakultetin ekonomik. Megjithatë, për shkak të shtypjes, atyre iu desh të hiqnin dorë nga standardi i tyre i jetesës dhe të iknin në një vend të huaj, ku procedura e gjatë e azilit i pengonte të punonin në profesionin e tyre të mëparshëm. Ata nuk kishin asnjë perspektivë për të vazhduar karrierën e tyre ose për të filluar një të re. Prandaj për ta ishte shumë e rëndësishme që ne fëmijët të kishim mundësinë të merrnim një arsimim të mirë. Ata shkuan përtej kësaj për të siguruar që ne të kishim një arsim solid, qoftë financiarisht apo duke hulumtuar mënyrat se si mund të vazhdonim shkollimin tonë në Zvicër. Arsimi ishte shumë i rëndësishëm për ne. Përveç kësaj, prindërit e mi mësuan shpejt gjuhën vendase dhe u interesuan për jetën në Zvicër.
Kjo u mundësoi atyre të na informojnë për mundësitë e arsimimit në Zvicër. Për shembull, prindërit e mi mësuan se ekzistonte një mënyrë për t’u përgatitur për provimin e maturës me çmim të ulët përmes mësimit në distancë, gjë që e bëra.
albinfo.ch: Si e përdorni përvojën tuaj personale dhe pasionin për të drejtat e njeriut për të përmirësuar ligjin e azilit dhe për të ndihmuar refugjatët e tjerë të njohin dinjitetin dhe të drejtat e tyre?
A. Eshrefi: Para se të punoja si avokat i pavarur, kam punuar si përfaqësues ligjor për azilkërkuesit në qendrën e azilit në Zvicrën Lindore. Kam punuar për një OJQ me reputacion të ngarkuar nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin për të ofruar avokatë që të mbrojnë refugjatët në procedurat e tyre përpara të njëjtës agjenci që i financon edhe ata. Është e qartë se në një situatë të tillë nuk mund të punohet plotësisht i pavarur si përfaqësues ligjor nëse klienti është edhe pala tjetër. Kuptova se nuk mund të bëja asgjë për të ndihmuar refugjatët. Nga njëra anë, gjithmonë më duhej të kontrolloja fillimisht me eprorët e mi nëse ishte e kotë të bëja një ankesë. Nga ana tjetër, isha nën një presion të madh kohe, sepse afatet ishin shumë të ngushta dhe duhej të mbronim shumë refugjatë në të njëjtën kohë. Nën këtë presion të madh kohor, nuk isha në gjendje të plotësoja nevojat individuale të klientëve të mi. Ishte si një lloj përpunimi masiv. Nuk mund të punoja më në këtë mënyrë pa u ndjerë në faj se nuk kisha bërë sa duhet për klientët e mi. Së këndejmi tek unë u rrit dëshira për të punuar si jurist i pavarur. E lashë këtë pozicion dhe u përgatita për provimin e jurisprudencës, të cilin përfundimisht e kalova.
Unë ndoqa pasionin tim dhe hapa zyrën time ligjore në fillim të këtij viti. Ishte vendimi më i mirë i jetës sime. Si avokat i vetëpunësuar, unë mund ta organizoj kohën time vetë dhe nuk kam nevojë të punoj nën presionin e madh të kohës. Deri më tani kam punuar kryesisht me raste nga komuniteti shqiptar. Megjithatë, unë vazhdoj të punoj në të drejtën e azilit. Kam qenë në gjendje të ndërmarr me sukses veprime kundër vendimeve negative para Gjykatës Federale Administrative dhe të ndihmoj refugjatët për të kërkuar azil në Zvicër. Si avokat i pavarur, unë jam në gjendje të bëj më të mirën për klientët e mi dhe ankesat e mia pozitive kontribuojnë në praktikën ligjore pozitive të rëndësishme për raste të ngjashme në të ardhmen.
albinfo.ch: Si e keni përdorur forcën tuaj personale për të mos u dekurajuar nga paragjykimet negative dhe për të njohur vlerën tuaj si individ?
A. Eshrefi: Kisha dëshirë të madhe për të studiuar. Doja t’i vërtetoja vetes se kisha potencialin e duhur për t’u bërë akademik. Arsimi ishte mundësia e vetme për përparim shoqëror. Më pëlqen gjithashtu të mësoj dhe kam etje të madhe për dije. Mund të mësoj me orë të tëra dhe të merrem intensivisht me temat përkatëse. Vullneti im i hekurt dhe dashuria për të studiuar ishin sigurisht faktorët më të fortë që më motivuan të njoh vlerën time si individ, pavarësisht paragjykimeve dhe sfidave negative.
albinfo.ch: Çfarë historish frymëzuese refugjatësh keni dëgjuar gjatë punës si përfaqësues ligjor dhe si e kanë forcuar ato besimin tuaj se çdo qenie njerëzore ka dinjitet për të cilin ia vlen të luftohet?
A. Eshrefi: Kur refugjatët vijnë në një vend të ri dhe nuk njihen si të tillë, atyre u mohohen të drejtat themelore si mundësia për të punuar ose studiuar. Ata thjesht tolerohen pa të drejtën për të ndërtuar një të ardhme. Për këtë arsye më gëzon edhe më shumë kur mund të ndihmoj dikë që të marrë shpejt lejen e qëndrimit. Unë kisha një klient që kishte studiuar për mjekësi në Siri. Për mua ishte e rëndësishme që ai të ketë të drejtën e shkollimit në Zvicër dhe të mund ta përdorë talentin e tij për vendin duke punuar një ditë si mjek këtu. Por kërkesa për azil i ishte refuzuar dhe me këtë status nuk iu lejua të studiojë në Zvicër. Ankesa ime në Gjykatën Administrative Federale rezultoi e suksesshme dhe atij iu dha azili dhe si rrjedhim edhe leja e qëndrimit në Zvicër
Tani ai studion për mjekësi në Cyrih. Kjo histori më tregon se ia vlen të luftosh për të drejtën e arsimimit për refugjatët. Të gjithë meritojnë dinjitet dhe mundësinë për të përdorur aftësitë dhe talentin e tyre për të dhënë një kontribut pozitiv në shoqëri.
Pasioni për ligjin dhe përvojat e mia të jetës më kanë frymëzuar të mbroj të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve. Si avokat, misioni im është të mbroj dinjitetin e tyre dhe të mbroj drejtësinë. I jam mirënjohës për mbështetjen e saj, familjes sime, e cila më dha mundësi arsimimi dhe natyralizim. Nëpërmjet punës sime, unë dua të ndihmoj refugjatët e tjerë që të kenë mundësi të ngjashme dhe t’u njihen të drejtat e tyre.
Ka ende shumë për të bërë për të mbështetur njerëzit me prejardhje migrimi ose refugjati. Por kam besim se me përpjekjet tona të përbashkëta janë të mundshme ndryshime pozitive. Të gjithë meritojnë respekt, barazi dhe mundësinë për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë.
(Intervistoi: Driter Gjukaj)
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15- ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetë dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar Jurgen Uldedaj të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve Autoritetet në kantonin e Gjenevës kanë kërkuar nga qytetarët që janë të sëmurë, së pari të...
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?
-
Zvicra dhe BE arrijnë marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme dypalëshe