Opinione

Përvjetori i Pavarësisë në Perspektivë

Një editorial nga Sami Kastrati*

Farërat e një Izraeli të ri u rritën nga imagjinata e një populli në mërgim. Për shumë kohë, mërgimi e kishte lënë popullin me një lutje, por pa shtet. Lutja e pathyer ushqeu shpresën dhe lidhjen e tyre për vendin e paraardhësve.

Me themelimin e shtetit ajo u mboll në një tokë të vogël, por e rrethuar me shumë fqinj kundërshtarë.

Si një popull i varfër, duke u kthyer në një vend të varfër ata u deshtë të zbulojnë dhe të jenë inovativ. Të zbulojnë nga “pasuritë e pamjaftueshmërisë’’ apo atë që njihet gjithandej në botë kur krizat gjenerojnë suksese. Ata që kishin mbijetuar iu deshtë të luftojnë për të gjallëruar në një ekonomi pothuajse të vdekur. “Gjithçka ishte me racione”, ishte ankuar njëri nga të ardhurit e ri. “Ne, kishim kuponë për libra, një vezë në javë dhe radhë të gjata’’, ishte shprehur ai. Standardi i jetesës në atë kohë llogaritej të ishte me atë të ShBA-së në vitin 1800.

Aseti i vetëm që ata kishin ishte kapitali njerëzor. Kur e kishin kuptuar se toka ishte jopjellore dhe uji i pamjaftueshëm u drejtuan drejt zbulimit dhe të teknologjisë: Kibbutz (Komunitet i përbashkët, tradicionalisht i mbështetur në bujqësi) u bë një inkubator, ndërsa fermerët shkencëtarë.

Me pak tokë e me pak ujë, ata fillimisht u bënë lider në bujqësi. Nëntëdhjetë e pesë për qind e saj që njihej si “sekreti” i produktivitetit të tyre të jashtëzakonshëm në këtë sektor ishte teknologjia. Njësoj lulëzoi edhe inovacioni dhe ndërmarrësia në fusha të tjera të teknologjisë, ku bashkëpunimi i ushtrisë me komunitetin e biznesit po jepte një rol jashtëzakonisht të madh.

Ambienti armiqësor nga fqinjët, luftërat e vazhdueshme, mungesa a pasurive natyrore nuk e largoi asnjëherë përmbushjen e vizionit të zhvillimit. U sulmuan shtatë herë në gjashtëdhjetë e dy vitet të ekzistencës dhe ishin subjekt i embargove të gjera diplomatike dhe ekonomike, por kurrë nuk u dorëzuan.

Këto janë vetëm disa nga paragrafët e ish Presidentit izraelit, Shimon Perez, i cili ishte edhe laureat i çmimit Nobel për Paqe në parathënien e librit dhe nga përmbajtja e vetë librit të autorëve Dan Senor dhe Saul Singer, të titulluar “Start Up Nation”,  të cilët tregojnë sakrificën, sfidat dhe storiet e suksesshme të popullit dhe shtetit izraelit, i cili për shumë shtete u bë model dhe inspirim i zhvillimit.

Duke e sfiduar atë që ekzistonte dhe kundërshtuar konvencionalen, ata krijuan “sekretin” e renditjes së vendit të tyre si një hulumtues kritik dhe u shndërruan në një qendër zhvillimore për kompanitë më të mëdha botërore të teknologjisë. Në atë që sot gjithandej njihet si “Start Up Nation”.

Farërat e një shteti të ri të Republikës së Kosovës si edhe të atij Izraelit u mbollën nga imagjinata e shumë brezave; sakrifica e një populli të tërë nëpër shekuj, që disa herë përjetoi  gjenocidin; lobimit të fuqishëm të popullit shqiptar në mërgim; lidershipit vizionar; një lufte të drejtë vetëmbrojtëse guerile, që njihet si më e suksesshmja në histori; orientimit të duhur dhe të drejtë strategjik kombëtar; simpatisë dhe mbështetjes së fuqishme dhe të paprecedent ndërkombëtare.

Lutja, këmbëngulësia, sakrifikimi dhe kauza e drejtë e një populli, ndaj të cilit historia ishte e padrejtë dhe e dhimbshme u bë realitet me 17 shkurt, 2008, kur përfaqësuesit e popullit të zgjedhur në mënyrë demokratike shpallën Kosovën shtet.
Përderisa vendi ynë shënon dymbëdhjetë vjetorin e themelimit të saj si shtet i pavarur, sovran dhe i integruar në komunitetin e shteteve të lira, demokratike dhe paqedashëse duket se nuk ka moment më të mirë që reflektojmë.
Të reflektojmë mbi të arriturat e deritanishme, sfidat e së tashmes dhe vizionin  strategjik të së ardhmes.

Përkundër vështirësive dhe shumë sfidave të këtij rrugëtimi, që kanë shumë elemente të përbashkëta me popullin izraelit si aspektin historik, ashtu edhe atë të kundërshtarëve fqinj, brenda qarkut kohor dymbëdhjetëvjeçar, Kosova shënoi arritje të mëdha si në nivelin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtarë.

U konsoliduan Institucione demokratike, u shënua një rritje e qëndrueshme ekonomike mesatare prej rreth 4 për qind në çdo vit,  kishte ulje të shkallës së papunësisë dhe varfërisë, rritje të Investimeve të Huaja Direkte, ndërtim të një Infrastrukture rrugore moderne, themelim të ushtrisë, shtrirje të gjerë diplomatike gjithandej nëpër botë, anëtarësim në mbi 200 organizata ndërkombëtare, ndërtimin të partneriteteve të reja e zgjerim e thellim të miqësive ekzistuese.

Në rrugëtimin e pas pavarësisë, shteti i ri i dha mesazhe të fuqishme bashkësisë ndërkombëtare se nuk ishte thjeshtë vetëm një numër më shumë në komunitetin e shteteve të lira dhe demokratike, por një vlerë e shtuar me kontributet e saj që i dha botës si në sport, muzikë, art, kulturë dhe fusha të tjera, të arritura këto që u njohën, vlerësuan dhe nderuan edhe nga kundërshtarët e atëhershëm të pavarësisë.

‘’Ne, duhet ta pranojmë që kemi qenë të mundur…Ne, e kemi humbur territorin…Nuk dua të vazhdojë me gënjeshtra dhe mashtrime. I kam thënë të gjithëve: Nuk ka autoritet të dukshëm serb në Kosovë…’’, iu adresua Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiҫ parlamentit serb në muaj maj të vitit të kaluar gjatë një debati për Kosovën.

Dymbëdhjetë vjet pas themelimit të shtetit të saj, Kosova është më mirë se që ishte në të kaluarën dhe do të jetë edhe më mirë që është sot. Prandaj, ne duhet të besojmë në të ardhmen dhe perspektivën e shtetit tonë; të mburremi me çdo arritje dhe sukses të tij dhe që mos të heqim dorë nga synimi strategjik kombëtar, që Kosova në një të ardhme jo shumë të largët të bëhet një “Zvicër” apo edhe “Izrael” i vogël në Ballkanin Perëndimor.

Zoti i ka falur dhe e ka bekuar shtetin e ri të Kosovës me tokë fertile, ujë të mjaftueshëm, pasuri të shumta nëntokësore, bukuri të rralla natyrore dhe kapitalin më të kërkuar sot në botë – atë njerëzor, ndërsa lutja është pranuar më 17 shkurt, 2008.

“Qytetarët e shëndetshëm janë vlera më e madhe që ndonjë komb mund ta ketë”, kishte thënë me të drejtë i ish-kryeministri britanik, Winston Churchill. Urime dymbëdhjetë vjetori Pavarësi!

Biografi

(*Autori është diplomat karriere, aktualisht Udhëheqës i Misionit të Republikës së Kosovës në Cyrih. Ka shërbyer si Zëvendës-Ambasador i Republikës së Kosovës në Hagë 2009-2013 dhe në Uashington D.C.2013-2017. Nga viti 2017 deri në vitin 2019 ishte Drejtor i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike në Ministrinë e Jashtme. Ka përfunduar studimet themelore në drejtimin e Shkencave Politike në Universitetin Publik të Prishtinës ato të avancuara për Integrime Evropiane në Universitetin e Gracit – Austri, Akademinë Evropiane të Bolzanos – Itali, Institutin Evropian për Administratë Publike në Luksemburg, Qendrën Evropiane për Rajone në Barcelonë – Spanjë si dhe Programin Prestigjioz për Siguri Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Universitetin Harvard – John F. Kennedy School of Government në Cambridge, Massachusetts-ShBA. Opinionet dhe qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale).