Zhvillim

Përurohet fabrika 5 milionëshe KIVO në Kaçanik

Është përuruar fabrika për prodhimin e produkteve të paketimit fleksibil KIVO. Të pranishëm në ceremoninë solemne të inaugurimit ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi.
Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një shenjë e mirë e zhvillimit ekonomik jo vetëm për këtë pjesë, por edhe për Kosovën.

Mustafa tha se Qeveria do t’i lehtësojë maksimalisht investimet e drejtpërdrejta në Kosovë, do të përshtatë politikën fiskale, e cila do t’iu japë mundësi bizneseve që në vitet e fillimit ta kenë shumë më lehtë të punojnë.

Ndërsa drejtori i kësaj fabrike tha se ky investin mbi 5 milionësh është një mesazh edhe për investimet e tjera të huaja. “Ky investim i kompanisë KIVO në partneritet holandezo-kosovar do të ndikojë që shumë familje të sigurojnë ekzistencën e tyre”, tha kryetari i Komunës së Kaçanikut,  Besim lazi.

Fabrika KIVO prodhon ambalazhe fleksibile plastike, ndërsa është ndërtuar me kapital holandez-kosovar dhe ka të punësuar 55 punonjës, ndërkohë që brenda një periudhe të shkurtër do të punësojë edhe 20 të tjerë.
KIVO ofron një gamë të gjerë produktesh të paketimit me bazë të PP (Polypropilene) për tregun industrial dhe konsumatorë, e gjithashtu prodhon produkte gjysmë të përfunduara për tregun industrial dhe produkte të përfunduara për konsumatorë si qese mbrojtëse të rrobave, qese për pastrim kimik, mbulesa të auto ulëseve, qese për paketim të ushqimeve, qese të mbeturinave etj. KIVO është ndërtuar me kapital vendor dhe ndërkombëtar nga kompania holandeze “KIVO Plastik Verpakkingen B.V” dhe VM3 Sh.P.k. nga Kosova.

Komuna e Kaçanikut i ka shpallur dy zona industriale, përmes së cilave investitorëve të mundshëm u ofrohet dhënia e tokës në shfrytëzim pa pagesë dhe rregullimi i infrastrukturës fizike, ndërkaq bën edhe lirimin nga tarifat dhe ngarkesat komunale për ushtrimin e veprimtarive biznesore.