Portrete të firmave
Përurohet depoja e madhe ushqimore me produkte “Made in Kosova” në Zvicër
Tashmë janë bërë 15 vjet kur në marketet e Coop-it në Zvicër ka dalë në shitje produkti i parë nga Kosova dhe përgjithësisht nga trojet shqiptare, “Birra Peja”.
Këtë aventurë të distribuimit në rrjetin e gjerë të kolosit numër dy në mesin e ndërmarrjeve tregtare të Zvicrës Coop e ka nisur Rexhep Berisha, me qëndrim në Bazel, pronar i firmës R.B. Import& Export dhe i restorantit “Sängerstübli”, në po këtë qytet, shkruan albinfo.ch.
15 vjet më pas, më 7 maj 2022, gamës së produkteve që sjell afaristi Rexhep Berisha në Zvicër nga Kosova i janë shtuar edhe qindra sosh, ndërsa në këtë përvjetor ndërmarrësi me rrënjë nga Peja e Kosovës po e kurorëzon ëndrrën e tij duke hapur depon më të madhe ushqimore me produkte nga Kosova në Zvicër.
Në përurimin solemn të kësaj depoje me 2000 metra katrorë në Basel ishin të pranishëm prodhues nga Kosova, diplomatë, ndërmarrës, përfaqësues të USAID-it, miq dhe mysafirë të tjerë, raporton albinfo.ch.
Mysafirët në këtë përurim i ka përshëndetur nikoqiri Berisha.
Ai ka potencuar faktin se po të kishin gëzuar mbështetje institucionale me herët nga Kosova, sikur tani me mbështetjen e USAID-it, përkatësisht nga projekti “Kosovo Compete Activity”, gjendja ekonomike, si dhe kapacitetet e kompanisë R.B Import& Export do të ishin shumë më të mëdha se ç’janë tani.
«Ndërmarrjet si kjo e jona janë një atu i vërtetë për ekonominë dhe prodhimtarinë e Kosovës dhe shpresojmë fuqimisht se shtytjen që jemi duke e gëzuar nga USAID-i në këtë projekt tonin, do të vazhdojë të mbështetet edhe nga institucionet e shtetit të Kosovës, dhe pse jo edhe të Zvicrës, ngase interesi i këtij aktiviteti është i gjithanshëm», ka deklaruar Berisha.
Skender Rama, drejtor i projektit të USAID Kosove Compete Activity, tha se kjo ngjarje për më tepër tejkalon biznesin e kompanisë R.B Import& Export.
“Sot jeni bashkëpunëtorë me 12 prodhues nga Kosova, unë jam i sigurt se efekti dhe kjo iniciativë do të jetë e rëndësisë së madhe edhe për këto 12 kompani. Gjithashtu jam i sigurt se ky numër do të shumëfishohet në muajt dhe vitet në vazhdim”, tha Rama.
“E konsideroj se kjo iniciativë e juaja ju bën ambasador të promovimit dhe prezencës së produketeve të ushqimit nga Kosova në tregun zviceran”, tha drejtori i projektit të USAID Kosovo Compete Activity, duke shpresuar për iniciativa të tjera të ngjashme, të cilat do t’i ofrojnë tregut zviceran edhe shumë më tepër produkte ushqimore nga Kosova.
Në këtë hapje kanë marrë pjesë edhe Ministër-Këshilltarja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Valbona Fazliu-Rrecaj, shefi i konsullatës në Cyrih, Sami Kastrati dhe konsullja Shukrije Ramadani.
Diplomatja Fazliu-Rrecaj ka përshëndetur për këtë zgjerim afaristin Rexhep Berisha dhe ka theksuar se çdo rritje e eksportit në Kosovë sjell punësim dhe se është garanci për të rinjtë për më shumë vende pune.
Nga ana tjetër, kryetarja e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, Merita Pinta, ka deklaruar se statistikat flasin për rritjen e eksportit nga Kosova në Zvicër.
«Për këtë rritje ka kontribuar edhe z.Berisha, por rol të madh kanë luajtur edhe ndërmarrësit e tjerë shqiptarë në Zvicër që kanë ruajtur ndër vite lidhjet me Kosovë, jo vetëm duke dërguar remitenca, por edhe duke importuar produkte, si ushqimore, ashtu edhe të sektorit të ndërtimit dhe sektorë të tjerë industrialë», tha Pinta.
Edhe kryetari i nderit të Rrjetit të Bizneseve Shqiptar, Fehmi Fetahi, ka përgëzuar afaristin Berisha në këtë hapje solemne të depos më të madhe ushqimore në Zvicër, duke theksuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që zënë ndërmarrësit e diasporës shqiptare në ruajtjen e lidhjeve tregtare me Kosovën.
Platforma mediale Albinfo.ch ka qenë përkrah afaristit Rexhep Berisha dhe është rritur bashkë me të, në çdo organizim ka promovuar dhe mbështetur prodhimet e Kosovës.
Dr. Bashkim Iseni, profesor në Universitetin e Friburgut dhe njëherësh themelues i platformës Albinfo.ch, në cilësinë e dëshmitarit të veprës së familjes Berisha, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së importuesve të produkteve nga institucionet e Kosovës. Për Isenin, duhet veçuar dy dimensione në kontributin e palodhshëm të Rexhep Berishës dhe familjes së tij fisnike në relacion me mbështetjen e tij të vazhdueshme, me pije dhe ushqime falas shqiptare, që me vite, të çdo evenimenti shqiptar në Zvicër, qoftë privat apo institucional.
«Kjo duhet të çmohet. Së dyti, Rexhep Bersisha ka siguruar plasmane me vlerë të produkteve Made in Kosova, dhe me këtë ka kontribuar në zhvillimin e Kosovës”. Për Isenin, sot do të duhej që krerët e shtetit kosovar të jenë këtu të pranishëm dhe të mbështesin një ndërmarrësi të tillë, sepse veprat si kjo ndikojnë drejtpërdrejt në mëvetësimin e ekonomisë dhe shtetësisë së Kosovës”, tha Iseni, dhe kështu, sipas tij, faktorizohet Kosova si shtet dhe jo vetëm me prioritetizimin politike të kinse “çështjeve të mëdha”.
Edhe avokati i njohur zviceran, Stefan Suter, i pranishëm në këtë solemnitet, ka përgëzuar familjen Berisha në hapjen e pikës grumbulluese. Ai ka shprehur mirënjohje për punën dhe imazhin që ka familja Berisha në Basel dhe në gjithë Zvicrën.
Krejt në fund pikën e re të grumbullimit para të pranishmëve e ka prezantuar menaxheri i kësaj kompanie, Ilir Berisha.
Në fund të këtij solemniteti organizatori kishte përgatitur një apero të pasur me ushqime tradicionale shqiptare, e cila është shoqëruar në tingujt e këngëtares nga Kosova, Edona Reshitaj.
Kompania R.B. Import& Export që udhëhiqet suksesshëm nga Rexhep Berisha, është biznes familjar që është themeluar më 1 shtator 2007, në Basel në Zvicër.
Prej produktit të parë me Birra Peja, tashmë kjo kompani ka zgjeruar klientelën me etnomarkete në tërë territorin e Zvicrës.
Tanimë produktet kosovare të importuara nga Kosova gjenden në raftet e marketeve të zinxhirëve tregtarë si: Otto’s, Coop, LIDL dhe SPAR.
Aktualisht portofolin e R.B. Import& Export e përbëjnë mbi 160 produkte, në një hapësirë të depos prej 1500 metrash katrorë. R.B. Import& Export ka sot mbi 200 klientë, me mbi 1000 shitore apo pika të ndryshme shitjeje.
Më shumë fotografi të realizuara nga Armend Berisha nga kjo ngjarje në galerinë në vijim:
Foto: Përurohet depoja e madhe ushqimore me produkte “Made in Kosova” në Zvicër
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve