Lajme

Personi që vrau 2 tifozët suedezë në Bruksel, më herët kishte ikur nga burgu

Personi i armatosur që qëlloi për vdekje dy tifozët suedezë të futbollit në Bruksel ishte arratisur nga një burg në Tunizi.

Prokurorët thonë se Abdesalem Lassoued ishte dënuar me 26 vjet burgim në vitin 2005, për disa krime, përfshirë këtu dhe tentativë vrasjeje.

Ai u arratis në vitin 2011 dhe arriti të hipte në një varkë për të mbërritur ilegalisht në ishullin italian të Lampedusa. Lassoued përfundimisht u zhvendos në Belgjikë, ku ai aplikoi për azil, kërkesë e cila iu refuzua.

Autoritetet tuniziane i kishin kërkuar Belgjikës që të kthente Lassoued në shtëpi në gusht 2022. Zyrtarët belgë morën kërkesën për ekstradim, por nuk e përpunuan atë, transmeton A2, përcjell albinfo.ch.

Mbrëmjen e 16 tetorit Lassoued filloi të qëllonte mbi kalimtarët me një pushkë sulmi në qendër të Brukselit. Më pas ai ndoqi njerëzit në korridorin e një pallati, ku qëlloi dhe vrau dy tifozë suedezë dhe plagosi një të tretë. Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.