Shkurt.ch

Personave të të njëjtës gjini nuk u lejohet adoptimi

Kjo vjen si përgjigje ndaj peticionit sipas të cilit gjendja civile dhe orientimi seksual nuk duhet të luajë rol në adoptim

Çiftet e homoseksualëve as në të ardhmen nuk do të duhej të lejohen të bëjnë adoptim të fëmijëve. Kështu ka vendosur komisioni i drejtësisë në kuadrin e Parlamentit Nacional me 13 vota për dhe 10 kundër, shkruan swissinfo.ch.

Këtë vendim komisioni në fjalë e ka marrë si përgjigje ndaj një peticioni të shoqatës “Shanset për familje” duke ia rekomanduar edhe parlamentit hedhjen poshtë të peticionit të përmendur.

Peticioni me 19380 nënshkrime, i cili qe dorëzuar për procedim në vitin  2010 kërkonte që në të ardhmen, me rastin e adoptimit të merret parasysh ekskluzivisht vetëm e mira e fëmijës. Me këtë ata synonin të realizonin qëllimin që gjendja civile dhe orientimi seksual i atyre që dëshirojnë të adoptojnë fëmijë të mos luajë kurrfarë roli.

Në atë mënyrë çiftet e gjinisë së njëjtë do të barazoheshin me çiftet me gjini të kundërta, sa u takon të drejtave prindërore dhe adoptimit.

Një pakicë e anëtarëve të komisionit dëshiron që Parlamenti Nacional t`ia kthejë sërish këtij komisioni në përpunim tekstin e peticionit.