Lajme
Përse vetëm në kohë zgjedhjesh përmendet diaspora në politikën kosovare
Deri më tani, në institucionet e Kosovës, ka munguar vullneti politik për të integruar edhe diasporën në politikëbërjen ditore dhe shtetërore të Kosovës
Diaspora shqiptare mbetet ndër instrumentet më të vlefshme ekonomike që ka Kosova. Kohët e fundit, pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, diaspora po përmendet edhe në rrafshin politik, nga partitë politike, shkruan albinfo.ch.
Në një video adresim që u publikua mbrëmë nga kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ai thotë se me qeverisjen e tij do të rikthehet Ministria e Diasporës, si e vetme, me ministër nga diaspora.
“Tri vende në listën tonë për deputetë, rikthimin e Ministrisë së Diasporës me ministër nga diaspora, ulëse të rezervuara në Kuvend të Kosovës, lirimi nga obligimi i sigurimit kufitar”, ka shpalosur Hoxhaj ofertën e tij, duke shtuar se kërkon mbështetjen e secilit, sepse sipas tij, bashkë mund të realizohet ky plan.
Por, përse, pikërisht tani, në kohë të zgjedhjeve, po përmendet diaspora politikisht
Deri më tani, në institucionet e Kosovës, ka munguar vullneti politik për të integruar edhe diasporën në politikëbërjen ditore dhe shtetërore të Kosovës, shkruan tutje albinfo.ch.
Pavarësisht që mërgimtarët tanë po shquhen me shkollimin e tyre në universitet më të njohura të botës, për aftësitë, etikën dhe profesionalizmin në gjitha fushat, përfshirë edhe politikën, për çudi, partitë politike të Kosovës vetëm në prag të zgjedhjeve vinë me premtime të tilla, për një Ministri dhe ministër të Diasporës.
Në fakt, edhe pa një premtim të tillë, diaspora është ambasadori më i mirë i mundshëm, për imazhin e Kosovës, që e ka ndihmuar në vazhdimësi, në të gjitha aspektet, duke luajtur rol shumë aktiv edhe në jetën politike dhe atë, ekonomike në vendin e tyre tё origjinës, por edhe në vendet ku ata banojnë.
Nga ana tjetër, edhe partia Nisma Socialdemokrate është duke bërë thirrje për anëtarësimin e mërgimtarëve në këtë parti, për të kandiduar për deputet në radhët e saj.
Mërgimtari shqiptar, lobisti Binak Sylaj, i lindur në Deçan, me një veprimtari të pasur në Zvicër, së fundmi, thotë se ka marrë dy oferta të ndryshme, nga dy parti të Kosovës, për t’u bërë pjesë e tyre dhe kandidat për deputet, në zgjedhjet të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Në një përgjigje të tij publike, shprehet se si është e mundur, se ne (diaspora) qenkemi kaq të dobishëm vetëm atëherë kur ju duhen votat, në kohën e zgjedhjeve?!
“Me gjithë respektin që kam për këta njerëz, më duhet të them se kontributi ynë për Kosovën ishte dhe do të jetë gjithmonë prezent. Vlerësoj shumë njerëzit, të cilët na njohin kontributin dhe përkushtimin tonë në çdo kohë. Jo, vetëm në kohën e zgjedhjeve. Ne mund të kontribojmë për vendin kurdoherë. Si është e mundur, se ne qenkemi të dobishëm vetëm atëherë kur ju duhet vota? E bukura e gjithë kësaj është se unë do të jap gjithmonë atë që mundem për Kosovën, pavarësisht a vlerësohet apo jo dhe pa qenë domosdoshmërisht në ndonjë subjekt politik”, thuhet në një reagim të tij publik, në Facebook.
Nga qëndrimi i tij ka reaguar edhe një përfaqësues nga partia Nisma Socialdemokrate, duke thënë se “thirrja ishte si një pjesëtar i devotshëm nga diaspora dhe si një kontribues i madh për Kosovën që të futesh në garë për deputet nga radhët e pjesëtarëve të diasporës”, thuhet në reagim.
Edhe, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me anë të një video ka bërë thirrje që mërgimtarët të votojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai është shprehur se votat e mërgimtarëve janë shumë të rëndësishme dhe mund ta drejtojnë Kosovën për një të ardhme shumë më të mirë”.
Ngjashëm, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, (LDK), përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje se kjo parti është e hapur për të gjitha figurat e rëndësishme që të futen në listën zgjedhore të saj dhe të kandidojnë për një udhëheqje më të mirë të Kosovës.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, nuk ka dhënë një qëndrim lidhur me përfshirjen e mërgimtarëve në politikën e Kosovës.
Nga ana tjetër, KQZ ka konfirmuar se diaspora edhe në këto zgjedhje mund të votojë përmes postës. Periudha e aplikimit për t’u regjistruar votuesit jashtë Kosovës është nga 13 deri më 21 janar.
Kujtojmë se diaspora ishte përcaktuese e rezultatit në zgjedhjet qendrore të vitit 2019. Dallimi ndërmjet fitueses së zgjedhjeve në atë kohë, Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që doli e dyta ishte vetëm 14,485 vota, dhe numri më i madh i votave të diasporës në këto zgjedhje ishin për Vetëvendosjen.
Prandaj, përfshirja e diasporës në përfaqësimin politik të jashtëm të Kosovës është e rëndësishme për përmirësimin e imazhit të Kosovës jashtë vendit, i cili është në pozicionin më të keq ndërkombëtar të mundshëm dhe nuk është në vëmendjen e partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Por, e gjithë thirrja politike e partive kosovare për diasporën, vetëm në kohë zgjedhjesh, është e pavend, sepse lë përshtypjen e përdorimit të saj si burim votash për qëllimet e tyre politike. /Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?