Lajme

Përse Swiss anuloi fluturimet direkte Gjenevë-Shkup?

Përgjegjësit e Swiss e shpjegojnë për albinfo.ch vendimin për të anuluar fluturimet direkte Gjenevë-Shkup

Ditë më parë albinfo.ch publikoi një lajm për anulimin e fluturimeve të drejtpërdrejta në relacionin Gjenevë-Shkup. Duke iu përgjigjur interesimit të lexuesve lidhur me arsyen e ndërprerjes, albinfo.ch ka lutur kompaninë Swiss që të sqarojë vendimin për të anuluar linjën e përmendur. Ky vendim është befasues sidomos duke u nisur nga fakti se avionët ishin të plotë dhe çmimet relativisht të larta.

Përgjegjësit e kompanisë zvicerane në fjalë janë përgjigjur se “Swiss” kërkon ta optimizojë rrjetin e linjave të saj që nisen nga Gjeneva. Kjo nënkupton se në disa vija, ne do ta rrisim frekuencën, kurse disa linja tjera ajrore do të zhduken”.

Sipas përgjegjësit në fjalë, “këto masa prekin së pari Luganon, Algjerin si dhe Shkupin, destinacione që nuk do të figurojnë më në planet e fluturimit dimëror 2016/2017 ».

Për menaxhmentin e Swiss, e cila është në duar të Lufthansa, kjo kompani “në mënyrë të vazhdueshme është duke i rivlerësuar vijat e saj ajrore si dhe mundësitë që ato përfaqësojnë”, njofton albinfo.ch.

Një angazhim i Eurowings në aeroportin e Gjenevës është duke u analizuar brenda grupit Lufthansa, por nuk pritet ndonjë vendim par dy apo tre viteve.