Lajme

Përse ekspertët sugjerojnë doza të treta të vaksinës?

Këtë javë, autoritetet shëndetësore amerikane pritet të prezantojnë provat se përse qytetarëve të vaksinuar mund t’u duhet të marrin një dozë suplementare, 8 muaj pas dozës së dytë të vaksinës anti-COVID, sipas një raportimi në agjencinë e lajmeve amerikane NBC News.

Së fundmi, administrata Biden ka deklaruar se qytetarëve amerikanë do t’u duhet të bëjnë një vaksinë booster apo suplementare, 8 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Korniza 8-mujore është e bazuar në studime në SHBA dhe jashtë, që zbulojnë efikasitetin e vaksinës të shtrirë në kohë – si dhe nëse ajo mund t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë variantit Delta.

Ky variant është tashmë i përgjegjshëm për rreth 100% të të gjithë rasteve të reja me COVID-19, në SHBA.

“Delta po na detyron t’i bëjmë këto diskutime dhe të mendojmë për një dozë të tretë”, thotë Dr. Colleen Kraft, drejtues në Spitalin Emory në Atlanta, SHBA.

Pyetjet që po ngrihen janë ato rreth efikasitetit real që kanë vaksinat ndaj variantit Delta, si dhe nëse mbrojtja ndaj virusit nis të shuhet me kalimin e kohës.

Informacione të mbledhura nga shtetet që i nisën fushatat e vaksinimit para SHBA-së mund të sigurojnë të dhëna të rëndësishme rreth momentit të saktë, kur mund të fillojnë të duhen këto vaksina suplementare.

Studime të kufizuara nga Izraeli, një nga shtetet e para që nisi vaksinimin masiv, dhe që ka përdorur ekskluzivisht vaksinën Pfizer-BioNTech, mund të kenë luajtur një rol të rëndësishëm në përfundimet e nxjerra nga autoritetet shëndetësore amerikane, shprehen doktorë të ndryshëm në vend.

“Të dhënat sugjerojnë se ata që u vaksinuan herët në Izrael – rreth muajit janar 2020 – po infektohen më shpesh se ata që u vaksinuan në prill”, thotë Dr. Sankar Swaminathan nga Universiteti i Utah.

Të dhëna të tjera të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë izraelite, dëshmojnë se vaksinat e administruara ndaj moshave mbi 65 vjeç në janar tashmë ofrojnë vetëm rreth 55% mbrojtje.

Ky mbetet një shqetësim i vazhdueshëm, edhe pse të dhënat që po vijnë nga Izraeli janë shumë të limituara dhe ende nuk ka një studim të qartë që provon kohën e saktë gjatë të cilës vaksina mund të ofrojë mbrojtje apo nëse ajo është efektive ndaj variantit Delta.

Gjithashtu ajo që mbetet ende e paqartë, sipas ekspertëve, është ndikimi real që mund të kenë këto ‘vaksina suplementare’ ndaj trajektores së pandemisë./Euronews