Lajme

Përpjekje për shantazhim të ministrit Berset me “fotografi diskredituese”

Në vitin 2019, një grua është përpjekur të shantazhonte Këshilltarin Federal Alain Berset me fotohgrafi dhe emaile. Departamenti i Berset, Zyra Federale e Brendshme, thotë se këto ishin pretendime të pavërteta dhe shpifëse

Të shtunën (sot) është bërë e njohur se Këshilltari Federal Alain Berset kishte bërë një ankesë penale te Prokurori Federal, për shantazhim, në vitin 2019.

Sipas një raporti të botuar në revistën “Weltwoche”, një grua kishte bërë përpjekje të shantazhonte ministrin Berset duke përdorur fotografi dhe dërgesa email, transmeton albinfo.ch.

Ajo kishte kërkuar 100 mijë franga si çmim për të hequr dorë nga publikimi i “fotografive dhe emaileve diskredituese” për ministrin.

Zyra e prokurorit federal ka konfirmuar për  gazetën 20 minuten ekzistimin e padisë së përmendur penale . Departamenti i Brendshëm (EDI) gjithashtu ka komentuar rastin, me kërkesën e gazetës në fjalë.

Zëdhënësi i EDI, Peter Lauener thotë se Berset ishte viktimë e një përpjekjeje për shantazh në fund të vitit 2019. “Bëhej fjalë për pretendime false dhe shpifëse të bëra nga një person privat në lidhje me jetën private të ministrit, tetë vjet më parë”.

Berset pastaj kishte bërë padi në zyrën e prokurorit federal, e cila kishte zhviluar  një hetim penal.

“Në kuadrin e procedurës, autorja e përpjekjes për shantazhim ka tërhequr deklaratat e saj të pavërteta dhe shpifëse, përcjell albinfo.ch. Procesi ka përfunduar me një dënim përfundimtar të saj me gjobë me kusht”.

Nuk ka foto diskredituese dhe asnjë informacion tjetër inkriminues, është shprehur Lauener.

“Këshilltari Federal Berset është i pashantazhueshëm”. Sipas EDI, ai në mënyrë të përsëritur ka qenë shënjestër e akteve kriminale.