Kosova

Përmes planit “Sezoni veror”, policia konfiskon tri armë në Gjakovë

Veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacioneve ku ishin dëgjuar të shtënat, në dy lokacione në qytetin e Gjakovës dhe një në fshatin Marmull

Policia e Kosovës së fundmi ka konfiskuar tri armë në komunën e Gjakovës dhe janë arrestuar tre persona, të cilët më vonë janë liruar, përcjell albinfo.ch.

Siç ka njoftuar policia, dyshohet se armët janë përdorur në ahengje familjare, ndërsa ky aksion është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Sezoni veror”.

“Veprimet policore ishin orientuar drejt identifikimit të lokacioneve ku ishin dëgjuar të shtënat, në dy lokacione në qytetin e Gjakovës dhe një në fshatin Marmull, ku si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në ato lokacione të konfiskohen tri armë të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare”, ka thënë PK.

“Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese tre të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.

Po ashtu, PK ka bërë të ditur se gjatë gjashtë mujorit të fundit, stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë kanë konfiskuar mbi tridhjetë armë të mbajtura pa leje dhe një sasi të konsiderueshme të municionit që ndërlidhen me raste të ndryshme.

Me këtë rast, nën moton “Festo me zemër, jo me armë”, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë “apelon te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla të kundërligjshme të cilat paraqesin rrezik për individët që i përdorin dhe për qytetarët në përgjithësi”, përcjell albinfo.ch.

Bashkangjitur gjeni fotografi të armëve dhe municionit të konfiskuar në rastet e cekura: