Shkurt.ch

Përmes dialogut, Kosova synon OKB-në

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nënkupton heqjen e pengesave dhe funksionimi i Kosovës si anëtare e OKB-së, thotë një zyrtar i lartë i qeverisë

Përfaqësuesit e Institucioneve të Kosovës konsiderojnë që nëpërmjet dialogut politik me Serbinë të arrijnë anëtarësimin e plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kështu ka deklaruar e përditshmja  e Prishtinës, “Koha Ditore” duke cituar në kushte anonimiteti një zyrtar të lartë të Qeverisë së Kosovës.

“Çështja e njohjes nga Serbia është relevante. Serbia mund edhe të mos e njohë Kosovën formalisht, ndonëse për të mirën e tyre do të ishte sikur ta bënin këtë. Normalizimi i marrëdhënieve nënkupton heqjen e pengesave dhe funksionimi i Kosovës si anëtare e OKB-së”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë qeveritar.

Sipas të njëjtit zyrtar Kosova do të kërkojë që në dialogun që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian të arrihen dy qëllime: rruajtja e sovranitetit territorial, duke e integruar veriun; dhe funksionimi i Kosovës pa u penguar nga Serbia, që nënkupton edhe anëtarësimin në OKB.

Ndryshe, institucionet e Kosovës tashmë kanë pranuar që të negociojnë me Serbinë në nivel të lartë politik, ky qëndrim është kundërshtuar nga opozita e cila konsideron se me hyrjen në bisedime politike, rrezikohet çështja e veriut.