Shqipëria

Përleshje mes protestuesve dhe policisë para Kuvendit të Shqipërisë

Para Kuvendit të Shqipërisë ka pasur përleshje mes protestuesve dhe policisë shqiptare, derisa situata nuk ka qenë aspak e qetë edhe në Kuvend, raportojnë mediat shqiptare.

Policia ka hedhur gazlotsjellës tek protestuesit gjë që ka sjellë nisjen e përplasjes mes protestuesve dhe policisë që ndodhet aty, përcjell albinfo.ch.

Raportohet se një grua ka humbur ndjenjat gjatë përleshjes që ka ndodhur ndërmjet policisë dhe protestuesve. Situata paraqitet e tensionuar. Ka edhe tymuese dhe gjendja është kaotike.

Gjithashtu raportohet se një polic është lënduar, derisa një protestues është shoqëruar në polici.

Deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi, tha se është dhunuar edhe ajo nga forcat e policisë.

“Policia më ka tërhequr zvarrë edhe mua”, tha ajo, duke treguar shenjat e gjakut.

Tensioni i madh dukej edhe kur deputeti socialist, Ulsi Manja po fliste në oborrin e Kuvendit për seancën. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ndërhyri fuqishëm.