Lajme
Përfundon protesta anti-qeveritare, disa të lënduar
Epilogu i protestës anti-qeveritare është: disa policë të lënduar, një autoblindë e djegur dhe disa protestues të arrestuar. Opozita paralajmëron protesta të reja. Reagojnë ndërkombëtarët
Një grup i protestuesve opozitarë u përlesh sot me policinë e Kosovës në një protestë të thirrur si paqësore, ku u kërkua dorëheqja e Qeverisë Mustafa. Epilogu i protestës ishte disa policë të lënduar, një autoblindë e djegur nga koktej molotovit dhe disa protestues të arrestuar. Po ashtu disa nga bulevardet e Prishtinës u demoluan nga protestuesit.
Protesta ishte paralajmëruar si paqësore, ndërsa qëllimi ishte kundërshtimi i marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për Demarkacionin e kufirit. Opozita tani po kërkon dorëheqjen e Qeverisë, sidomos pasi Gjykata Kushtetuese e konfirmoi se Marrëveshja për Asociacionin përbën shkelje të Kushtetutës.
Protestuesit fillimisht sulmuan me koktej molotovi objektin e Qeverisë, e cila mori flakë, ndërsa i mëhershëm ishte reagimi i Policisë me gaz lotsjellës. Nga përdorimi i molotovit, një autoblindë e Policisë mori flakë, dhe derisa intervenoi policia ajo u paaftësua për lëvizje.
Përplasjet ndërmjet policisë dhe një grupi protestuesish vazhdoi deri në mbrëmje. “Beteja” u zhvillua në disa lokacione, duke filluar nga Sheshi “Skënderbeu”, “Nënë Tereza”, “Zahir Pajaziti”, “Biblioteka Kombëtare” e madje duke shkuar deri “Te Rrethi”. Në të gjitha këto sheshe, u dogjën koshat e mbeturinave dhe u hodhën në rrugë gjësende të ndryshme.
14 të lënduar nga protesta e dhunshme
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se në protestën e sotme kanë marrë pjesë rreth 8 mijë qytetarë. Ndërsa opozita thotë se numri i protestuesve ishte mbi 100 mijë veta. Pavarësisht këtyre shifrave kontradiktore, kjo ishte protesta më e madhe e mbajtur ndonjëherë nga opozita.
Kelani po ashtu tha se nga përdorimi i dhunës, janë lënduar 10 policë, 2 qytetarë dhe 2 gazetarë, ndërsa sipas tij, policia ka arrestuar 24 protestues.
Kundër protestave të dhunshme reaguan përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por edhe diplomatët ndërkombëtar.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar ashpër veprimet e opozitës, duke i quajtur “akte vandale”. Sipas Presidentes, aktet e dhunshme nga protestuesit kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit.
“Dënoj ashpër vandalizmin e pronës publike dhe përdorimin e mjeteve që vënë në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës dhe forcave të rendit, që e kanë për detyrë t’i mbrojnë institucionet e vendit. Protesta është e drejtë e patjetërsueshme në çdo demokraci, e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Por, zjarrvënia e sotme institucioneve të vendit është plotësisht e papranueshme”, thuhet në reagimin e Presidentes.
BE e shqetësuar me dhunën në protesta
Edhe Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë ka dënuar aktet e dëmtimit të pronës publike gjatë protestës së sotme e cila eskaloi në përfundim të saj. Zyra e BE-së, thotë se është e shqetësuar që protestat e opozitës vazhduan spiralen e dhunës.
“Bashkimi Evropian në Kosovë është e shqetësuar që protestat e sotme të opozitës vazhduan spiralen e dhunës. Bashkimi Evropian dënon dëmtimin e pronës publike, dhe thërret për qetësi dhe largim të dhunës si rruga e vetme e Kosovës përpara”, thuhet në reagimin e BE-së.
Ndërkaq, nëpërmjet një komunikate të përbashkët, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, kanë falënderuar qytetarët për pjesëmarrje masive në protestën anti-qeveritare.
“Në përmbyllje të protestës, shumë qytetarë kanë reaguar spontanisht duke protestuar me vendosmëri ndaj ndërtesave qeveritare. Mllefi i qytetarëve që po shprehet në përballje me policinë është rezultat i insistimit të Isa Mustafës për të ruajtur Zajednicën dhe pushtetin e vet personal. Ne shprehim keqardhje për çdo incident, por nënvizojmë se shkaktari kryesor edhe i këtyre incidenteve është mos-reflektimi i qeverisë përballë reagimit kaq të fuqishëm qytetar”, konsideron opozita e cila paralajmëron protesta të reja.
Në protesta edhe flamujt e Zvicrës
Në anën tjetër, Këshilli i Sigurisë i Kosovës dënon fuqishëm eskalimin në dhunë të protestës së organizuar nga partitë opozitare. “Këshilli i Sigurisë kërkon nga partitë opozitare të heqin dorë nga ky skenar për përdorimin e dhunës dhe mjeteve të rrezikshme, për rrënimin e rendit institucional e kushtetues të Kosovës”, thuhet në reagim.
Këshilli i Sigurisë i Kosovës kërkon nga organizatorët e protestës që të bashkëpunojnë me organet e shtetit për t’i vënë përpara drejtësisë përgjegjësit për pasojat e protestës, nga e cila janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, disa protestues, por edhe disa qytetarë, kalimtarë të rastit.
Ndryshe, në protestën e sotme u vërejtën edhe flamuj të vendeve mike. Ndërsa ajo që binte në sy, ishte një flamur i madh i Zvicrës që ishte i pranishëm në mes të turmës. Disa media raportuan se flamurin e mbanin në dorë disa bashkatdhetarë që jetojnë në Zvicër.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?