Shkurt.ch

Përfundoi “udhëtimi” i ndërtesës në Cyrih

Ajo është bartur përmes binarëve dhe një konstruksioni të ndërtuar në mënyrë speciale për këtë rast, në një distancë prej 60 metrash

Është ora saktësisht 16.04. Në qiellin e kaltër ngrihen qindra balona të kuq ndërsa në tokë, njerëzit e shumtë të grumbulluar duartrokasin, ndërsa gotat e shampanjës presin të cakërrohen.

albinfo.ch

Në Oerlikon të Cyrihut ka përfunduar aksioni ndoshta më spektakular në historinë e ndërtimit, jo vetëm në Zvicër.

Ndërtesa e rëndë 62000 tonë, e gjatë 80 dhe e lartë 12 metra është bartur përmes binarëve dhe një konstruksioni të ndërtuar në mënyrë speciale për këtë rast, në një distancë prej 60 metrash.

E gjithë puna përgatitore ka zgjatur disa muaj, ndërsa kurorëzimi i saj, bartja e ndërtesës është realizuar brenda 29 orëve të fundit.

Albinfo.ch përmes fotografive të bëra në vndin e ngjarjes bart te lexuesit atmosferën nga minutat e fundit të këtij spektakli unik.

I gjithë ky projekt është realizuar për t`i bërë vend zgjerimit të stacionit hekurudhor. Ndërtesa e bartur i takonte drejtorisë së fabrikës së makinave, e ndërtuar në vitin 1889. Ajo ishte nën mbrojtjen e shtetit si objekt që dëshmon zhvillimin e hovshëm industrial të Cyrihut dhe të Zvicrës.

Gjatë tërë ditës së djeshme dhe sidomos sot, në arealin rreth ndërtesës ka mbretëruar një atmosferë feste. Mijëra njerëz kureshtarë kishin ardhur të bëheshin dëshmitarë të kësaj ngjarjeje që ndodh shumë rrallë.