Kosova

Përfaqësuesit e LVV-së dhe të LDK-së, drejt koalicionit për qeverinë e re

Të dy palët janë dakorduar me përmbajtjen dhe me parimet e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Pas takimi të djeshëm, këto dy subjekte njoftuan se të mërkurën e ardhshme do të takohen sërish për t’i konkretizuar diskutimet e djeshme.

Dy partitë më të votuara nga zgjedhjet, LVV-ja dhe LDK-ja, kanë diskutuar për harmonizimin e programit qeverisës. Thuhet se përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve kanë folur për reformat e thella sektoriale, të cilat e presin qeverinë e ardhshme. Derisa thanë se nuk kanë diskutuar fare për ndarjen e ministrive, zyrtarët e këtyre partive pohuan se janë dakorduar për përmbajtjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Menjëherë pas takimit të mbajtur të premten në Selinë Qendrore të LDK-së në Prishtinë, LVV-ja dhe LDK-ja lëshuan një komunikatë për medie, përmes së cilës njoftuan se takimin e radhës do ta mbajnë të mërkurën e javës që vjen.

Kandidati për deputet i LVV-së, Glauk Konjufca, tha se në takim është diskutuar rreth temave dhe reformave rrënjësore që e presin qeverinë e ardhshme të Kosovës. “Janë folur temat më të rëndësishme, të cilat e presin qeverinë e ardhshme dhe reformat e thella sektoriale, që duhet t’i ndërmarrë qeverisja e ardhshme e LVV-së së bashku me LDK-në”, ka deklaruar ai.