Lajme

Përballë të ardhmes së pasigurt, ukrainasit duhet t’i përshtaten jetës në Gjermani

Në jetën e saj të mëparshme në Ukrainën jugore, Tetiana Chepeliova ishte një kontabiliste. Në Berlin, ajo është e papunë, si 16 gratë e tjera ukrainase, me të cilat po mëson gjermanisht në një kurs që synon t’i ndihmojë ato të integrohen në shoqëri.

47-vjeçarja është një nga më shumë se një milion ukrainasit që kanë ikur në Gjermani që nga pushtimi i Rusisë në shkurt. Ndër vendet e Bashkimit Evropian, vetëm Polonia ka mirëpritur më shumë.

Fluksi ka ushtruar presion të madh mbi autoritetet lokale me ministren e Brendshme, Nancy Faeser, që së fundmi e përshkruan situatën si “të tensionuar”, transmeton albinfo.ch.

Por ndryshe nga viti 2015, kur shpërthyen protesta të mëdha të nxitura nga e djathta ekstreme për ardhjen e sirianëve dhe irakianëve që ikin nga lufta, këtë herë ka pasur pak zëra kundërshtues për fluksin.

Në vend të kësaj, një sfidë kryesore po rezulton të jetë “pasiguria e madhe” me të cilën përballen ukrainasit, tha Benjamin Beckmann, i cili mbikëqyr programet e integrimit në zyrën federale të Gjermanisë për migracionin dhe refugjatët.

Për shumë prej tyre – kryesisht gra dhe fëmijë – mbetet një pyetje e hapur nëse do të kthehen apo jo në atdheun e tyre pasi të përfundojë lufta, shtoi ai.

Kualifikimet nuk njihen

Në një shkollë gjuhësore në një lagje rezidenciale të kryeqytetit gjerman, Chepeliova është mes një grupi ukrainasish që mësojnë të lundrojnë në gjuhën gjermane.

Kur AFP vizitoi, ajo po mësonte termat bazë për t’u shprehur gjatë një vizite te mjeku.

Kurset përbëhen nga tre orë mësime në ditë, të ofruara falas për ukrainasit për nëntë muaj.

“Janë jashtëzakonisht të motivuar,” tha mësuesja Petra Schulte. Por Schulte ndjen gjithashtu zhgënjimin e klasës së saj, e cila ka vetëm një student mashkull. Ato përfshijnë një inxhinier mekanik, një dentist, një mjek, infermiere, dhe një mësues pianoje.

“Kanë punuar me vite… dhe befas nuk u njihen kualifikimet dhe nuk mund të ushtrojnë profesionet e tyre”, tha mësuesi, përcjell albinfo.ch.

Chepeliova u largua nga qyteti jugor Kherson pasi ra në duart e rusëve në mars. Sot ajo e sheh të ardhmen e saj në Gjermani: “Është vendi më i mirë për mua. Vendi është super mikpritës ndaj ukrainasve”, thekson ajo.

Djali i saj 12-vjeçar e kishte të vështirë shkollën gjermane në fillim, por “pasi kaloi një fundjavë me klasën e tij, duket sikur u rrëzua një mur – ai nuk kishte më frikë të fliste gjermanisht”.

Megjithatë, gra të tjera duan të kthehen përfundimisht në Ukrainë, ku kanë lënë pas të dashurit.

Tani për tani, ndërsa ukrainasit peshojnë të ardhmen e tyre në ekonominë më të madhe të Evropës, Schulte dhe të tjerët si ajo mund t’i mbështesin vetëm në udhëtimin e tyre për t’u përshtatur në Gjermani.