Zhvillim

“Perandoria” turke dhe interesat ekonomike në Kosovë

“Qeveria e Kosovës ka dështuar që në disa tenderë, partnerë seriozë t’i kishte shtetet e fuqishme nga perëndimi, si në rastin e shitjes së PTK-së apo ndërtimin e kompleksit në Brezovicë. Ndërkaq ka pasur sukses në projekte me turqit…”.

Cili në të vërtetë është imazhi i kompanive turke në Ballkan dhe Kosovë ?! “Po e them në mënyrë të hapur se imazhi i kompanive dhe Turqisë në aspektin ekonomik është në rënie e sipër, veçanërisht pas privatizimit të disa nbdërmarrjeve publike, në rend të parë kemi të bëjmë me KEDS-in, pastaj me Aeroportin…”, shprehet Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ai thotë se tërë kjo po ndodhë në mungesë të transparencës së mirëfilltë të transaksioneve. “E tëra kjo ka bërë që vërtetë të krijohet një psikologji e re sa i përket partneritetit. Shto kësaj edhe faktin se edhe në kompaninë “Bechtel Enka” që ka ndërtuar rrugën e kombit por edhe tash autostradën “Arbën Xhaferi”, shumë pak janë të kyçura kompani vendore, shumë pak futet lëndë e parë nga Kosova dhe gjithë ato importohen nga jashtë”, thotë ai.

Qeveria e Kosovës në anën tjetër, sipas njohësit të çështjeve ekonomike Ibrahim Rexhepit ka dështuar që në disa tenderë, partnerë seriozë t’i kishte shtetet e fuqishme nga perëndimi, si në rastin e shitjes së PTK-së apo ndërtimin e kompleksit në Brezovicë.

“Ndërkaq ka pasur sukses në projekte me turqit – koncesionimi i aeroportit, shitja e distribucionit, apo edhe ndërtimi i dy autostradave, ku është konzorciumi turko-amerikan”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, përceptimi është krijuar për shkak të dështimeve që kanë ndodhur në relacion me perëndimin, e jo pse ka pasur ndonjë ngritje, apo sukses të madh me Turqinë.

“Kjo del edhe nga fakti se ta zëmë, vjet nga 470 biznese të huaja sa kanë qenë në Kosovë, vetëm  62 kanë qenë nga Turqia, ndërsa 78 janë nga Shqipëria”, shprehet ai.

Përtej aspekteve ekonomike gjërat i sheh publicisti Gani Mehmetaj. “Qëllimi tjetër i “investimeve” turke është edhe më i çoroditur – të riislamizojnë shqiptarët, meqë i gjetën në kohën më të keqe, kur ua rrënoi mirëqenien e ekonominë Serbia”, shprehet ai.

Turqia megjithatë sipas Safet Gërxhaliut, ka interes të jetë sa më aktive në tenderimin e kompanive të mëdha dhe projekteve që financohen nga buxheti i shtetit.

“Ajo që është më interesante është një dukuri e re, kompanitë turke po investojnë në sektorin e ndërtimtarisë, kur dihet se kostoja e ndërtimit në Kosovë është mjaft e lirë dhe shitja e tyre në veçanti në Turqi është shumë e lartë”, thotë Gërxhaliu.

  • Turqia – larg të qenit partneri kryesor tregtar i Kosovës

Në trendin e investimeve afatgjata, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe përfaqësuesve kosovarë të bizneseve është një shpërputhje mes asaj që po e bën në realitet Turqia dhe synimeve që ka ky shtet.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonominë e Turqisë për nga niveli i zhvillimit e radhit në vendin e 16-të në botë, ndërsa Turqia synon që shumë shpejtë të hyjë në mesin e 10-top vendeve të zhvilluara.

“Një shtet çfarë është Turqia që pretendon në vitin 2023 të ketë 500 miliardë eksporte dhe të jetë ndër top vendet më të zhvilluara në botë për hir të 100 vjetorit të pavarësisë dhe të ketë vetëm 80 milionë investimenë forma të ndryshme, nuk është një shifër që jep kënaqësi”, shprehet Gërxhaliu.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi thotë se në total, që nga viti 2007 e deri në fund të vitit 2015 eksportet e përgjithshme të Kosovës kanë qenë afër 2.4 miliardë euro, ndërsa vetëm në Turqi  67.7 milionë euro, ose 2.8 për qind nga totali. “Shikuar sipas viteve në tregun turk kanë gjetur vend 1.8 – 2.8 për qind e eksporteve kosovare”.

Në import, ai thotë se situata është më ndryshe.  “Që nga viti 2007 e deri në 2015 importet kosovare kanë qenë 20.2 miliardë euro. Ndërkaq vetëm nga Turqia janë importuar 1.6 miliardë euro, ose  rreth 8 për qind e totalit. Duhet pasur parasysh mallrat e importuara nga ky shtet asnjëherë nuk kanë kaluar mbi 10 për qind nga importi i përgjithshëm”.

Prandaj, Rexhepi thotë se pa marrë parasysh që shkëmbimet tregtare kanë tendencë të rritjes Turqia është larg asaj që të jetë partneri kryesor tregtar i Kosovës.

“Duhet ta kemi parasysh se të vetmin aset të madh që Turqia ka në Kosovë është distribucioni – KEDS-i. Atë e kanë blerë kompanitë turke dhe e kanë në pronësi të veten, por kanë edhe detyrime për furnzimin e tregut me energji elektrike”.

Ndërkaq, Aeroporti, sipas Rexhepit, mbetet aset i Kosovës. “Ai nuk ka ndryshuar statusin, e as titullarin. Madje, edhe pas koncesionimit asnjë punë nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Qeverisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë ekziton një mekanzëm mbikqyrës, i cili mund të intervenoj me kohë, në mënyrë që aty të mbrojë inetresat e Qeverisë së Kosovës dhe të projektit. Prandaj, këtu eshtë dashur që gjithçka të shkoj me rregull, e nëse ka pasur devijime nga koncepti, atëherë duhet pyetur qeverinë e Kosovës pse ka lejuar këtë?”, shprehet Rexhepi.

  • Rrjeti turk në Shqipëri

Një raport i Qendrës për hulumtime strategjike dhe sociale me seli në Prishtinë, sqaron se ambiciet e Turqisë në Evropën Juglindore janë të kufizuara nga mungesa e burimeve. “Pavarësisht nga një rritje afatgjatë, tregtia me vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet e papërfillshme:  llogaritet  në vetëm 6.7 për qind të totalit të eksporteve dhe 3.4 për qind të totalit të importeve”, sqaron raporti mardhëniet tregtare të Turqisë me Ballkanin.

Në fokus të investimeve mbeten tregjet më të mëdha rajonale, si Bullgaria dhe Rumania

Ndërkohë, në pjesën ku flet për investimet turke në Shqipëri, thuhet se totali i investimeve me origjinë nga Turqia në ekonominë shqiptare arriti në 279 milionë euro në vitin 2010, duke pësuar një rritje prej 81 për qind në krahasim me vitin 2007. Të dhënat janë publikuar edhe nga Banka e Shqipërisë.

Turqia është vendi i pestë më i rëndësishëm sa i përket investimeve të huaja pas Greqisë, Italisë, Austrisë dhe Kanadasë. Shqipëria ka tërhequr deri në vitin 2010 2.64 miliardë euro investime të huaja dhe turqit mbahen ‘përgjegjës’ për 10.5 për qind të të gjitha investimeve të huaja.

Në Shqipëri, sipas të njejtit raport operojnë rreth 80 kompani turke. Turqit janë të prezantuar në Shqipëri veçanërisht përmes grupit Calik, i cili ka nën pronësi Bankën Kombëtare Tregtare, Albtelecom dhe Eagle Mobile.

BKT është banka e dytë më e madhe në Shqipëri sa i përket aseteve. Kurse, Albtelecom është operatori i telefonisë fikse dhe internetit dhe Eagle Mobile është operatori i tretë i kompanisë celulare.
Investime të tjera turke në Shqipëri janë: Kombinati i Çelikut në Elbasan, rrjeti i shkollave turke që fillojnë nga arsimi parashkollor e mbarojnë te arsimi i lartë. Sipas raportit të Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale investimi i fundit më i rëndësishëm është në fushën e spitaleve private.   “Balkan Alliance Medical Center” është një prej qendrave të mëdha shëndetësore private turke në Tiranë. Në këtë spital qysh nga viti 2007 janë kryer ekzaminime të rënda mjekësore përfshirë edhe transplatimin e veshkave.

Një tjetër spital i njohur turk në Shqipëri është Klinika Acibadem. Gjithashtu spitali “Memorial” në Tiranë është i njohur për fekondimin artificial si pjesë e rrjetit të spitaleve turke me këtë emër.

(Fund)