Lajme

Për tre muaj u regjistruan 2480 ndërmarrje të reja

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë tre muajve të fundit të vitit 2015, janë regjistruar 2480 ndërmarrje të reja, ose 14 % më shumë se në tremujorin e vitit paraprak

Në tremujorin e fundit të vitit 2015, është regjistruar një rritje e dukshme regjistrimit të bizneseve të reja në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015 janë regjistruar gjithsej 2480 ndërmarrje, që vërehet rritje për 14 për qind e ndërmarrjeve të reja, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.

Këto statistika kanë dalë në “Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë TM4 2015” publikuar nga ASK, mbi bizneset e reja të regjistruara në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Po ashtu, sipas tyre, ka një rritje për 8.6 për qind të ndërmarrjeve të reja, nëse e krahasojmë me tremujorin paraprak të këtij viti 2015.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin në: tregti me 746 ndërmarrje të reja; prodhim me 271 ndërmarrje; bujqësi, pylltari dhe peshkatari me 270 ndërmarrje; aktivitete të shërbimeve tjera me 189 ndërmarrje të reja; akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 246 ndërmarrje të reja; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 175 ndërmarrje të reja; ndërtimtaria me 163 ndërmarrje të reja”…etj”, thuhet në raport.

Sipas të njëjtave informacione, shumiva e këtyre ndërmarrjeve kanë të punësuar nga 1 deri 4 punëtor. Kjo kategori përbën rreth 2 393 ndërmarrje ose 96.5 për qind të ndërmarrjeve të reja.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të reja, në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor mbizotëron Prishtina me 593 ndërmarrje të reja; Peja me 184 ndërmarrje të reja; Prizreni me 177 ndërmarrje të reja; Ferizaj me 160 ndërmarrje; Gjakova me 131 ndërmarrje të reja; Gjilani me 119; Mitrovica me 111, ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë këtij tremujori.