Integrimi

Për tentimvrasje, 11 vjet burg kryesit kosovar dhe porositësit zviceran

Prokurori kishte kërkuar 18 vjet burg për bankierin që kishte paguar për vrasjen e bashkëshortes ndërsa për tre ekzekutuesit nga 16, 15 dhe 13 vjet burg

Në Gjenevë të premten ka përfunduar procesi gjyqësor kundër një bankieri që i ka premtuar një kosovari 400 mijë franga për t`ia vrarë bashkëshorten. Akti ka ndodhur në shkurt të vitit 2012, me ç`rast gruaja kishte shpëtuar ndërsa në fillim qe menduar se ajo kishte qenë viktimë e plaçkitjes.

Gjykata Penale e Gjenevës e ka shpallur të akuzuarin kryesor, fajtor për nxitje për tentim vrasje. Prokurori kishte kërkuar 18 vjet burg ndërsa për tre ndihmësit e tij nga 16, 15 respektivisht 13 vjet burg. Avokatët e tyre, nga ana tjetër kanë pleduar për dënime dukshëm më të ulëta. Ata, në kërkesën e tyre kanë nënvizuar se bankieri e kishte kthyer mbrapsht urdhri për vrasje. Për këtë arsye sipas tyre, nuk ishte dashur fare të ndodhte sulmi  që kishte ndodhur më 19 shkurt 2012. 

Gruaja 47 vjeçare e bankierit ishte sulmuar me thikë para hyrjes së shtëpisë nga kosovari, i cili e kishte rrëzuar përtokë. Pastaj ai e kishte tërhequr zvarrë nëpër dysheme dhe e kishte ngufatur. Megjithatë, në momentin e fundit ai kishte hequr dorë, gjegjësisht e kishte lëshuar vendin e ngjarjes.

Trupi gjykues ka dënuar me 11 vjet burg bankierin për nxitje të tentim vrasjes. Po kështu me 11 vjet burg është dënuar edhe kosovari i cili kishte marrë porosinë për të bërë vrasjen, e cila kishte mbetur në tentativë. Dy ndihmësit kanë marrë dënime nga 7 vjet burg. 

Bashkëshorti i akuzuar nuk ka mohuar se përmes një ndërmjetësuesi ka dhënë urdhër për vrasje. Por ai këmbëngul se urdhrin në fjalë e kishte tërhequr një javë para se të ndodhte sulmi.

Motivi për vrasjen e gruas qëndronte në faktin se ajo trashëgonte një pasuri të madhe ndërsa bankieri, i përfshirë në aferën Madof e cila kishte tronditur financat botërore në vitin 2008. Për pasojë, ai kishte probleme financiare.