Kosova

Për shtatë muaj, diaspora dërgoi në Kosovë 526 milionë euro

Pavarësisht pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës e ka thyer rekordin e dërgesave të parave në vendin tonë.

Nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për muajin korrik 2020, diaspora ka dërguar rreth 18 milionë euro më shumë se sa muaji i njëjtë i vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se në muajin korrik 2020, në Kosovë u sollën 91.6 milionë euro, kurse një vit më herët kjo vlerë ishte 73.9 milionë euro.

Sipas kanaleve të dërgimit, BQK thotë se rreth 64 milionë euro janë transferuar me anë të agjencive të dërgesave të parëve, kurse pjesa tjetër me anë të bankave komerciale.

Duke krahasuar periudhën shtatëmujore të vitit aktual me atë paraprake, del se mërgata në drejtim të Kosovës ka dërguar rreth 47 milionë euro më shumë, apo në total 526.1 milionë euro.

Për sa u përket dërgesave të mërgatës sipas vendeve, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës, shkruan telegrafi, përcjell albinfo.ch.

Për tremujorin e parë të vitit 2020, del se nga Gjermania kanë ardhur 42.4 milionë euro, ndjekur nga Zvicra me 20.8 milionë euro dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.3 milionë euro, përcjell Telegrafi.

Për këtë periudhë, rritja e remitencave është për 1.3 për qind më e madhe se vitin 2019.

“Në kuadër të bilancit të pagesave, remitencat dhe Investimet e Huaja Direkte shënuan rritje vjetore prej 1.3 për qind, përkatësisht rënie vjetore prej 60.5 për qind”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2020”.