Të tjera

Për shkak të erërave shtyhet debutimi i Albin Tahirit

Shkak për shtyrjen janë bërë erërat e forta të cilat po mbretërojnë në Qendrën Skitare Jangseon, rreth 40 km larg PyeongChangut të Koresë së Jugut

Është shtyrë gara në disiplinën lëshim i shpejtë, ku ishte paraparë të garonte skitari nga Kosova, Albin Tahiri, në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang2018”.

Shkak për shtyrjen janë bërë erërat e forta të cilat po mbretërojnë në Qendrën Skitare Jangseon, rreth 40 km larg PyeongChangut të Koresë së Jugut, përcjell albinfo.ch.

“Në një farë forme e kam pritur se mund të shtyhet për shkak të erërave të forta, por unë isha i përgatitur për sot. Ne ishim atje bashkë me trajnerin dhe ishim gati, por organizatori na njoftoi se nuk ekzistojnë kushtet për t’u mbajtur gara. Nesër do të përgatitem për garën e së martës në kombinim alpik”, ka thënë Tahiri për ueb-faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sipas organizatorëve, gara e sotme do të mbahet më 15 shkurt, kurse gara e 15 shkurtit e paraparë të mbahej në super sllallom të madh është shtyrë për më 16 shkurt.

Nëse kushtet janë të volitshme, atëherë Albini debutimin do ta bëjë të martën (13 shkurt) në disiplinën e kombinimit alpik.