Integrimi

Për një vit, 1700 shqiptarëve u ndalohet hyrja në Zvicër!

Pas nigerianëve që janë në vendin e parë me 1059 ndalesa të tilla vijnë shtetasit e Kosovës me 975 dhe menjëherë pas tyre ata të Shqipërisë, me 711 ndalesa

Fryma e ashpërsimit të klimës ndaj të huajve, është nxitur nga iniciativat e viteve të fundit që kishin për qëllim kufizimin e numrit të të huajve në këtë vend. Për pasojë, autoritetet zvicerane kanë vepruar më vendosmërisht në dëbimin ose ndalimin e hyrjes në Zvicër të të huajve me dosje krimi.

Kështu, nëse në vitin 2008, një vit pasi ishte lancuar iniciativa për dëbimin e të huajve kriminelë, masa e ndalimit të hyrjes në Zvicër u ishte shqiptuar 6100 personave, në vitin 2013 kjo masë është shqiptuar në 10600 raste. Një rritje afër 75 për qind për 5 vite.

Është interesante se po të shikohet lista e shtetasve të dënuar me këtë masë gjatë vitit 2013, bie në sy se pas nigerianëve që janë në vendin e parë me 1059 ndalesa të tilla vijnë shtetasit e Kosovës me 975 dhe menjëherë pas tyre ata të Shqipërisë, me 711 ndalesa. Jo larg tyre, në vendin e katërt të kësaj liste të palavdishme, me 669 masa ndalimi të hyrjes në Zvicër janë shtetasit e Serbisë. Pas tyre vijnë tunizianët, rumunët, marokenët etj.

Se ku qëndron shkaku i rritjes kaq të madhe të numrit të ndalesave dhe të dëbimeve për shtetasit e huaj autoritetet nga Zyra Federale për Migracion (BFM) japin disa përgjigje, shkruan nzz am sonntag. Në një anë janë masat e ashpërsuara të denoncimit dhe të ndëshkimit, në tjetrën shtimi i turistëve kriminelë që vijnë nga jashtë për të ushtruar “profesionin” e tyre dhe një aspekt shtesë është kthimi, dëbimi, respektivisht ndalimi i hyrjes në Zvicër për azilkërkuesit që më parë kanë paraqitur kërkesë azili në një vend tjetër.

Masa e ndalimit të hyrjes në Zvicër, sipas rregullit është 5 vjet por ajo mund të zgjatet më vonë ose edhe të shqiptohet në kohëzgjatje më të madhe. Madje, siç e përmend gazeta në vijim, një kosovari në vitin 2012 i ishte shqiptuar masa e ndalimit të hyrjes në Zvicër në kohë të pakufizuar. Kjo kishte ndodhur pas dënimit të tij për një varg veprash penal e të kryera në periudhë 2001-2007 si grabitje, vjedhje, veprime seksuale me fëmijë, delikte droge, me armë etj.

Por, ndërkohë Gjykata Administrative e Zvicrës ia ka shkurtuar këtë ndalesë në katër vjet. Shkak për këtë ka qenë fakti se personi i përmendur, nga viti 2008 e tutje nuk ka bërë asnjë shkelje dhe ndërkohë është bërë baba i një fëmije.