Gjuha

Për një cilësi më të mirë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe

Seminari kishte si qëllim trajnimin e mësuesve të fëmijëve shqiptarë si dhe mbarëvajtjen e punës mësimore – edukative të mësimit plotësues të gjuhës shqipe

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër nën drejtim të kryetarit Nexhat Maloku, në zbatim të projektit për një cilësi më të mirë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe organizoi një seminar dy ditor më 10 – 11 janar 2015 në Windish,– Argau dhe më 17-18 janar në Romanshorn –Turgau.

Seminari kishte si qëllim trajnimin e mësuesve që u japin mësim fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë si dhe për mbarëvajtjen e punës mësimore – edukative të mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Sipas programit gjatë këtyre ditëve në dy seminaret u mbajtën ligjërata për mësimdhënien dhe të nxënit, për kriteret e një mësimi të mirë, për planifikimin e mësimit me tekste të reja apo fletore tematike, për kompetencat profesionale të mësimdhënësit, për format e mësimdhënies, për menaxhimin e mësimit me grupmosha të ndryshme, për modele mësimesh, mundësitë për shtimin e numrit të nxënësve në mësimin plotësues në Zvicër, shkolla shqipe dhe kompetenca ndërkulturore, forcimi i identitetit të të rinjve përmes mësimit plotësues etj..

Ligjërata mbajtën mësimdhënës shqiptarë me përvojë dhe që janë të kualifikuar në mësimin plotësues, detyrim që brezi i vjetër i mësuesve ia ka borxh brezit të ri që edhe në mungesë të mbështetjes institucionale vullnetarisht, larg atdheut kanë marrë ditarin në dorë.

Seminari u përkrah dhe dhanë ndihmën e nevojshme edhe ligjërues zviceranë. Pedagogu, albanologu zviceran Dr Dr Basil Shader, prezantoi projektin madhor që udhëheq në përkrahje të gjuhës së parë, “Vështrim mbi Fletoret tematike dhe botimet tjera për përkrahjen e të mësuarit në gjuhën e parë”. Ndërsa nga Heiner Teuteberg u përcoll me vëmendje leksioni “Kriteret për një mësim të mirë”. Seminarin e përshëndeti dhe e ndoqi Nuhi Gashi, MASHT e Republikës së Kosovës.

Për seminare dhanë dhe kontribuuan pa kursim koordinatorët e këshillave Kantonal: Isni Idrizi në Llozanë, Riza Demaj në Argau dhe Nexhat Hyseni në Turgau.  

Vlerësime për seminaret me mësuesit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Seminari i trajnues ishte tregues i punës serioze që bëri LAPSH-i, morën pjesë mbi 90% të mësimdhënësve të mësimit plotësues. Mësuesit që morën pjesë në seminare, shkëmbyen përvojat e tyre, mësuan nga njëri-tjetri; u ndihmuan përmes ligjëratave të mbajtura nga specialistë e pedagogë të njohur, të fushave të mësimdhënies dhe të nxënit; diskutuam për të gjetur zgjidhje për mjaft nga problemet që hasim në punën arsimore me fëmijët mërgimtarë. Koordinatori i LAPSH-it Nexhat Maloku me përvojën e tij shumë vjeçare arsimore drejtues i projektit tha: “Trajnimi i mësuesve të mësimit shqip është një nga qëllimet e projektit tonë arsimor që veç tjerash synon plotësimin e kulturës pedagogjike të tyre në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënies dhe mësim nxënies me fokus të veçantë përkrahjen e kompetencave në gjuhën e parë të nxënësve/eve. Praktikat specifike që ndeshen në mësimin plotësues kërkojnë rrugë dhe forma efikase të veprimit kualifikues”.

Për vetë natyrën e zhvillimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, shpesh ky është një proces që shoqërohet me vështirësi të natyrave nga më të ndryshmet, si: mos përfshirja e shumicës së fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës shqipe, klasë me grupmosha të ndryshme, vështirësi në arritjen e suksesit të nxënësve si rezultat i përdorimit të dy a më shumë gjuhëve etj..

Nga përvoja e mësimit në shkollat shqipe të mësimit plotësues nuk mjaftojnë vetëm sigurimi i programeve mësimore dhe teksteve për të realizuar këtë mision edukativ, por me të drejtë kërkohet përzgjedhja e mësimdhënësve të kualifikuar edhe trajnimi sistematik i mësuesve mbështetur në kërkesat dhe nevojat e tyre.

Disa kërkesa që duan zgjidhje në të ardhmen

Kanë kaluar 25 vjet nga themelimi i shkollës me mësim plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër dhe realisht Shkolla shqipe nuk u institucionalizua ashtu si e meriton me të gjitha parametrat shtetëror. Jo! problemi i mësimit të shqipes në mërgim nuk është zgjidhur ende.

Mjerisht për fëmijët shqiptarë nuk është bërë aq sa është e mundur për të mundësuar mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.

Klasat janë vënë në dispozicion të mësuesve shqiptarë nga shkolla zvicerane, programet dhe planet mësimore janë, por mungon një marrëveshje e dy dikastereve të shkollës zvicerane dhe shqiptare, ende nuk ekziston. Ajo që vazhdon pa ndërprerje janë premtimet, deklaratat e zhurmshme, mesazhet e mirëkuptimit mes qeverive, në shumë raste, me një paraqitje kontradiktore të çështjeve, por realisht, shkolla ka mbetur pezull.

Përveç kësaj Ministritë e Arsimit në Prishtinë dhe në Shkup nuk përgatitin mësues të rijnë për këta fëmijë që po rriten larg atdheut që janë edhe një pasuri e atij vendi.

Në mësimin plotësues janë të këqyr edhe mësues/e të pakualifikuar, mësues/e pa përvojë, që kanë fare pak lidhje me mësimin shqip, me vështirësi mund të tejkalojnë problemet në mësimdhënie me specifikat e shkollës me mësim plotësues të gjuhës shqipe.

Faza dytë e seminarit thellues pritet të mbahet gjatë muajt mars.

 

 

Nexhmije Mehmetaj