Integrimi
Për një bashkëpunim me vlera në relacionin Zvicër-Kosovë
Një grup veprimtarësh, shqiptarë e zviceranë kanë marrë një iniciativë për themelimin e një shoqate kulturore Zvicër-Kosovë ose zvicerane-shqiptare në Cyrih
Në Cyrih dhe në regjionin e gjerë të këtij qytet-metropol të Zvicrës, funksionojnë jo pak shoqata shqiptare, me karakter kulturor, humanitar, sportiv etj. Por ai që mungon është segmenti i bashkëpunimit kulturor i komunitetit shqiptar me vendësit. Në përpjekje për të plotësuar këtë zbrazësi, një grup veprimtarësh, shqiptarë e zviceranë kanë marrë një iniciativë për themelimin e një shoqate kulturore Zvicër-Kosovë ose zvicerane-shqiptare në Cyrih.
Iniciativa është prezantuar të enjten më 2 tetor në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, me mbështetjen e nikoqirëve, gjegjësisht ministrit këshilltar, Islam Spahiut dhe konsullit, Salih Sefa. Po ashtu për përkrahje të shoqatës së ardhshme u zotua edhe Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih, e përfaqësuar nga drejtoresha e saj, Shukrije Ramadani.
Të pranishëm ishin një numër punëtorësh kulturorë, arsimorë e socialë, shqiptarë e zviceranë nga Cyrihu me rrethinë.
Islam Spahiu, duke folur për iniciativën theksoi se është koha për “një bashkëpunim me vlera me shoqërinë e këtushme. Ne kemi marrë shumë nga zviceranët por kemi mundësi edhe të japim, në kuptimin e vlerave kulturore që kemi krijuar”. Me këtë rast Spahiu përkujtoi përvojat nga Gjermania, ku komunitete tjera të huaja kanë prej kohësh shoqata të tilla dhe ato janë treguar mjaft frytdhënëse. Edhe komuniteti i atjeshëm shqiptar ka ngritur një asociacion të ngjashëm, ka thënë ai.
Shoqatat e kësaj natyre animojnë personalitete eminente nga jeta shoqërore, politike ose kulturore e vendit për bashkëpunim dhe mbështetje të afirmimit të kulturës dhe vlerave të shqiptarëve, gjegjësisht të Kosovës. Po këtë synim, sipas Spahiut, duhet ta ketë asociacioni që pritet të themelohet në Cyrih.
Iniciativën e vlerësoi lartë edhe konsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa, duke e cilësuar si mjaft të nevojshme për momentin aktual. Ne rrethin konsullor ku vepron Konsullata e Cyrihut ekzistojnë mjaft shoqata shqiptare por çalon bashkëpunimi me shoqërinë dhe institucionet e vendit, ka theksuar dr. Sefa.
Ai ka përshëndetur në veçanti praninë e studentëve, të cilët përbejnë hallkën e duhur për të vendosur lidhjet në mes të dy komuniteteve. Kësaj here janë bërë bashkë dëshira, vullneti dhe dija, me synimin për të ndërtuar diçka me vlerë, ka thënë konsulli, duke premtuar ndihmë brenda mundësive dhe kompetencave që ka Konsullata.
Nga ana e saj, Shukrije Ramadani, në emrin e Qendrës Kulturore të Kosovës ka vënë theksin në nevojën që puna në organizimet e mërgatës këtu të bartet te brezi i ri, të rritur ose të lindur këtu. Ky brez, sipas saj, ka vizionin, njohuritë dhe idetë që organizimin ta bëjë konform kohës dhe vendit ku po jetojmë. Ndërsa brezi më i vjetër duhet të ndihmojë me përvojat e veta, ka thënë ajo duke premtuar edhe ndihmën e QKK-së në këtë drejtim.
Mimoza Sejdiu, një nga iniciatoret, ka folur për synimet e asociacionit në themelim, duke e përshkruar atë si nevojë për bërjen të njohur të Kosovës dhe të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, gjegjësisht të Cyrihut me rrethina.
Një nga pjesëmarrëset në këtë takim Barbara Burri-Sharani, e cila nga paslufta ka përfaqësuar për disa vite agjencinë shtetërore të Zvicrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (DEZA), ka përshëndetur iniciativën në parim. Por ajo njëkohësisht ka kërkuar më shumë qartësi sa i përket konceptit dhe synimeve që do të ndjekë asociacioni.
Pjesëmarrës tjerë në debat, si, përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Cyrihut, asaj “Parandalo” pastaj humanistja e njohur për komunitetin shquar Analies Schneller, etj. kanë shprehur vullnetin për të ndihmuar iniciativën.
Në përmbyllje u zgjodh një këshill nismëtar i përbërë nga pesë anëtarë i cili u ngarkua me operacionalizimin e punës drejt ngritjes së shoqatës. Në këtë këshill, që do të drejtohet nga Albana Rama, menaxhere në një ndërmarrje ndërkombëtare financash në Cyrih, Barbara Burri-Sharrani, këshilltare në Solidar Suisse, Naxhi Selimi, docent në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Schwyz, Mimoza Sejdiu, absolvente në shkencat politike dhe Getoar Vejseli, student.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës