Integrimi

Për kur një deputet shqiptaro-zviceran në Bernë ?

Pas moszgjedhjes të asnjërit kandidat-e shqiptar-e në zgjedhjet federale zvicerane, në rrjetet shoqërore dominojnë kryesisht tri mendime: i pari tenton ta quajë naivitet besimin dhe promovimin e integrimit të shqiptarëve në jetën politike zvicerane, nga shkaku i mosakceptimit së tyre; mendimi i dytë është ai se kandidatet-ët shqiptaro-zviceranë-e do të zgjidhen kur ata dalin jashtë konturave politike dhe shoqërore komunitare etnike dhe, së fundi, mendimi i tretë është ai se kandidaturat e shumta shqiptare e kanë dëmtuar votën ndaj kandidatëve që do të kishin pasur më shumë gjasa të zgjidhen.

Të tri mendimet në fjalë janë pjesërisht të arsyeshme. Ja ca shpjegime të mundshme.

Sa i përket argumentimit të parë, është fakt se patronimi shqiptar nuk është avantazh në listat zgjedhore zvicerane, sepse shqiptarët dhe ballkanasit në përgjithësi vazhdojnë të mos perceptohen mirë. Mirëpo, ky faktor në vete nuk e shpjegon moszgjedhjen e tyre, sepse emra të dalë nga diversiteti janë zgjedhur nën kupolën federale, siç ishte shembulli i fundit i Sibel Arslan dhe se disa nga kandidatet-ët shqiptaro-zviceranë-e kanë fituar një numër të konsiderueshëm votash. Veç kësaj, klima politike dhe reticencat aktuale ndaj migracionit nuk e ndihmojnë zgjedhjen e emrave që dalin nga standardet tradicionale të politikanëve vendës. Me fjalë të tjera, emrat që dalin nga diversiteti kanë më pak gjasa të zgjidhen, ose respektivisht kanë më shumë gjasa të shlyhen nga lista e partive politike, në të cilat ata figurojnë. Konteksti në të cilin ndodhemi aktualisht, pra ai i krizës ekstraordinare të refugjatëve dhe migrantëve me të cilën ballafaqohet e tërë Evropa mobilizon afektet dhe votuesit më shumë votojnë me emocione frike. Kjo edhe e shpjegon deri në një shkallë vështirësinë edhe të Të gjelbërve që nuk arritën t`i imponojnë temat e tyre elektorale mbi çështjet ambientale dhe energjetike, tema që janë parë më racionale.

Mendimi i dytë përmban po ashtu fakte që duhet akceptuar, sidomos në disa situata kur elementi i prejardhjes etnike është vënë mbi atë të ideve dhe kur mbështetja e tyre është bazuar esencialisht në mobilizim të qarqeve që gravitojnë në suaza të komunitetit shqiptar, shpeshherë të përbërë nga persona të gjeneratës së parë, me dominancë të meshkujve dhe duke organizuar evenimente me dominim folklorik etnik. Afirmimi i kulturës së prejardhjes së këtyre kandidatëve është diçka pozitive në planin simbolik, sepse i thyen klishetë ndaj shqiptarëve. Përveç kësaj, kjo strategji e mobilizimit komunitar edhe mundëson kompensim të numrit të votave që kandidatët shqiptarë i humbin për shkak të patronimit të tyre shqiptar. Mirëpo është shumë me rëndësi që aksioni i tyre politik të integrohet në tërësinë e betejës zgjedhore zvicerane, pra në plan të ideve që ata mbrojnë, të propozimeve që ata i sjellin në relacion me temat zgjedhore dominante dhe në harmoni me ngjyrat e partive politike që ata apo ato i mbrojnë.

Sa i përket argumentit të fundit, pra numrit të konsiderueshëm të kandidateve dhe kandidatëve shqiptaro-zviceranë-e, kjo është diçka shumë inkurajuese, por dhe normale për sivjet në Zvicër, ngase numri i kandidatëve në përgjithësi e ka tejkaluar shifrën e 3800 personave. Numri i mbi 30 kandidatëve me prejardhje shqiptare nuk ka ndikuar në dobësimin e gjasave të kandidatëve shqiptaro-zviceranë, mirëpo rezultatet e këtij votimi kanë mundësuar që të shihen cilat apo cilët kandidatë-e shqiptarë kanë më shumë gjasa një ditë të triumfojnë, duke i gjykuar ato për nga numri i votave që i kanë fituar, por edhe për nga konsiderata që ata gëzojnë në opinionin vendës si dhe brenda partive të tyre politike. Ky test në të ardhmen duhet të shërbejë si indikator për investim dhe mbështetje te këta kandidatë me potencial më të madh për t’u zgjedhur një ditë.

Sa për fund, pas entuziazmit fillestar dhe zhgënjimit pranveror të disa kandidatëve në zgjedhjet kantonale dhe komunale, rezultatet e zgjedhjeve federale të së dielës nuk duhet të interpretohen me cinizëm naiv. Përkundrazi, shqiptaro-zviceranët tashmë kanë filluar të kyçen në jetën politike zvicerane dhe përvoja që e fitojnë në jetën politike vendëse është shumë me rëndësi. Të mos harrojmë se në zgjedhjet e parafundit numri i kandidatëve me prejardhje shqiptare ka qenë thuaja inekzistent. Zgjimi progresiv i interesimit, numri i kandidatëve dhe nxitja e debateve në rrjetet sociale dëshmon se tani e tutje çështja e participimit politik në Zvicër i prek ata drejtpërdrejt. Prandaj, kjo çështje duhet të mbetet prioritet, sikurse për neve, ashtu edhe për të tjerët.