Integrimi

Për dhe kundër një ligji të ri për emigracion

Asnjë temë tjetër nuk është kaq e debatueshme në partitë e unionit konservator të kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve (CDU dhe CSU) sa tema e migracionit

Aq më shumë befasuese është në këtë kontekst nisma e ndërmarrë prej sekretarit të përgjithshëm të CDU-së Peter Tauber për një ligj imigracioni.

“Nëse ne duam imigracion, që të mos jetë i imponuar nga tregu i punës, pra jo vetëm i përkohshëm, atëherë ne duhet të diskutojmë për një ligj imigracioni”, i tha Tauber gazetës “Die Welt”.

 Në ligj mund të përcaktohet, se çfarë nevojash kemi për imigracionin, çfarë kriteresh duhet të plotësojë një imigrant:  skollim  dhe gatishmëri për të kontribuar këtu në Gjermani.

Sipas Tauber, në ligj madje duhet të rregullohet edhe çështja e bashkimit familjar.

Kësisoj sekretari i përgjithshëm i CDU-së i kundërvihet me vetëdije të plotë lëvizjes islamofobe Pegida. Islami nuk duhet të dënohet në përgjithësi.

“Eshtë i gabuar, përfytyrimi, se një mysliman nuk mund të jetë një qytetar i mirë gjerman”, thekson Tauber.

“Njerëzit jetojnë këtu, integrohen në shoqëri, kanë familje, ndërtojnë diçka, angazhohen për komunitetin – në rastin ideal ndodh kjo, por jo gjithmonë është kështu.”

Vende të tjera migracioni janë më të avancuar se Gjermania, sepse ato ua komunikojnë imigrantëve të qenit pjesë e shoqërisë, mendon politikani i CDU-së.

“Ti je njëri prej nesh. Ne duam që ti të identifikohesh me vendin tonë. Ne kemi nevojë për ty.”, thotë Tauber.

 Në këtë drejtim bëhet pak në Gjermani.

Tauber megjithatë e ka parasysh tregun e punës. Për profesione të ndryshme ai parashikon përcaktimin e një kuote.

“Ne qysh tani po diskutojmë, nëse p.sh. një mjek që vjen si refugjat, mund të qëndrojë.”

Nisma e Tauber nuk gjen mbështetje tek partia simotër e CDU-së, CSU-ja.

Kryeministri i Bavarisë dhe njëkohësisht kryetar i CSU-së, Horst Seehofer, vazhdon të jetë strikt kundër ligjit të imigracionit.

 “Ndryshe nga shumë shtete me një ligj migracioni, Gjermania bazuar në ligjin themelor ka të drejtën e azilit. Këtë ne nuk mund ta spostojmë me një ligj imigracioni”, tha Seehofer në intervistë për gazetën “Leipziger Volkszeitung”, transmeton DW.

“Sa i përket imigracionit mund të rregullosh çfarë të duash me ligj, por gjithmonë e drejta e azilit do të ketë përparësi.”

Krahas së drejtës për azil në Gjermani qysh nga viti 2005 ka një ligj imigracioni, që thuajse nuk u ofron mundësi për të jetuar e punuar në Gjermani të huajve, të cilët vijnë nga vende jo të BE-së.

Zyrtarisht ai quhet “ligji për kontrollin dhe kufizimin e imigracionit si dhe rregullore e së drejtës së qëndrimit e integrimit për qytetarët e unionit dhe të huajt.”

Ndërsa CSU bllokon, partneri socialdemokrat (SPD) i koalicionit qeverisës e përshëndet propozimin e sekretarit të përgjithshëm të CDU-së për një ligj imigracioni.

Një ekspert i tregut të punës u ka bërë të qartë deputetëve në grupin parlamentar socialdemokrat, se çfarë pasojash mund të ketë nëse Gjermania heq dorë nga ligji i migracionit.

 “Ne duhet të zëvendësojmë çdo vit 400.000 punëmarrës, të cilët dalin në pension, duke punësuar të rinj”, tha Oppermann.

 Ndaj SPD-aj është e gatshme të diskutojë për ligjin e migracionit dhe do të sjellë edhe propozime konkrete.

 Opermann tërheq vëmendjen, që Pegida dhe AfD duhet të kenë kujdes dhe “të mos nxisin urrjetje politike”.

 Ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière i tha jo ndryshimeve të mëdha, por vetëm në detaje”.

 “Unë nuk e kundërshtoj një ligj imigracioni, por ndërkohë ne e kemi një tillë”, tha ministri i Brendshëm,Thomas de Maizière (CDU) në kuadër të mbledhjes së grupit bavarez të CSU-së në Wildbad Kreuth.

 “Ne kemi një ligj për të drejtën e qëndrimit”, që rregullon tërheqjen e forcave të kualifikuara të punës për ekonominë ose qëndrimin për arsye humanitare.

 OECD e ka vlerësuar madje Gjermaninë si një vend me kushte të favorshme për imigracionin.

 Shumica e migrantëve vijnë në kuadër të rregullores për lëvizjen e lirë të forcave të punës brenda BE-së, tha më tej de Maiziere, duke shtuar, se në parim nuk është e nevojshme të vendosen rregulla të reja, përveç masave kundër abuzimit me lirinë e lëvizjes, të cilat ndërkohë janë përpiluar.

 Për ministrin  nuk duhet ketë ndonjë nevojë për ndryshime të mëdha, përveçse disa detajeve.

 Në këtë mënyrë de Maiziere u shpreh kundër nismës së sekretarit të përgjithshëm të CDU-së Peter Tauber për një ligj imigracioni.