Shkurt.ch

Për degradim të kosovarëve ndiqen penalisht shefat e SVP-së

Reklama: “Kosovarët therin zviceranin", ka bërë që disa anëtarë të SVP-së të hetohen penalisht mbi dyshimet për racizëm

Reklama propaganduese e publikuar nëpër gazeta vitin e kaluar në kuadër të fushatës së SVP-së kundër imigracionit masiv me titullin: “Kosovarët therin zviceranin”, ka bërë që disa zyrtarë të lartë të këtij subjekti politik të përballen me drejtësinë për shkelje të ligjit mbi diskriminimin racor.

Prokuroria e Cyrihut ka konfirmuar se po i zhvillon hetimet ndaj Komisionit të Iniciativës së SVP-së kundër emigracionit masiv për shkelje të mundshme të ligjit kundër racizmit në Zvicër.

Lajmin e ka konfirmuar për 20min kryeprokurori i Cyrihut, Hans Maurer.

 

Penalisht do të ndiqet kreu i partisë Toni Bruner, zëvendës i tij, Christoph Blocher, Adrian Amstutz dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të SVP-së.

Vitin e kaluar SVP-UDC kishte pranuar të modifikonte titullin e pllakatit të saj, duke e kthyer atë nga shumësi “kosovarët” në njëjës “kosovari ther zviceranin”.

Ky është i gjithë “kompromisi” që kishte pranuar ta bënte SVP-UDC kundrejt gazetave të cilat nuk kishin pranuar ta botonin reklamën e saj propaganduese për fushatën e iniciativës “Të ndërpritet imigracioni masiv”.

 

Dy kosovarë, persona privatë kishin ushtruar padi penale kundër SVP-UDC-së në lidhje me afishen e publikuar në mediet zvicerane.

 

Për avokatin e tyre, David Gibor, i cili kishte inicuar padi qysh në tetor të vitit të kaluar ndaj SVP-UDC-së, ndryshimi tekstual i reklamës  tregon se iniciatorët kanë qenë të vetëdijshëm për mundësinë e procedurës penale.

 

Ndërsa presidenti i SVP-së, Toni Bruner tha se nuk është në dijeni për procedurën penale dhe për këtë arsye nuk dëshiron të prononcohet. 

 

Kryeprokurori i Cyrihut, Mauer tha se disa prej politikanëve të SVP-së mund të përdorin imunitetin e tyre si deputet nacional për t’i ikur përgjegjësisë.  Por nëse e bëjnë këtë, atëherë duhet të iniciohet një procedurë parlamentare, thotë Maurer…